Katër vjet më parë në garën për kryetarin e partisë, Jemin Gjana që drejtonte komisionin zgjedhor dhe katër anëtarët, Tritan Shehu, Dhurata Çupi, Bardh Spahia dhe Enkelejd Alibeaj nuk ranë në një mendje që renditja e kandidatëve në fletën e votimit mes dy kandidaturave Lulzim Basha dhe Eduard Selami të vihej sipas rendit alfabetik të emrit ose të mbiemrit.
Renditja u vendos me short dhe Lulzim Basha u rendit i pari, duke e pasuar Eduard Selami.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe katër vjet më pas.
Sipas rendit alfabetik të emrit, listën duhet ta kryesonte Agron Shehajt.
Komisioni zgjedhor (më të tjerë anëtarë, por me kryetar të njëjtë) as nuk e diskutoi këtë variant sa kohe që nuk e raportua, por hodhi me short renditjen e katër kandidatëve për kryetarin.
Nga kjo renditje, Agron Shehaj rezulton i treti në fletën e votimit, ndërsa Lulzim Basha, ndryshe nga katër vjet me parë, kalon i fundit në fletë për votim.
Më konkretisht, në praninë edhe të përfaqësuesve të kandidateve, që u bënë pjesë e shortit, renditja në fletën e votimit do të jetë: 1) Fatbardh Kadilli; 2) Edith Harxhi; 3) Agron Shehaj dhe 4) Lulzim Basha
Procedura gjithashtu është formale dhe e njëjtë. Janë përcaktuar përfaqësuesit e kandidatëve dhe janë bërë gati edhe qendrat e votimit (mbi 73) ku do të votojë anëtarësia nëpër degë.
Ajo që ndryshon kësaj here është numri i anëtarëve.
Katër vjet më parë, Jemin Gjana raportonte me pompozitet se ishin thirrur për votimin e kryetarit 103,952 anëtarë të Partisë Demokratike.
Sot në kushte krejt të tjera, dhe i imponuar më shumë nga kërkesa e kandidatëve në lojë për të pasur në dore listën e anëtarësisë, Jemin Gjana raportoi zyrtarisht një numër më të vogël të anëtarëve të partisë.
“Lista e anëtarësisë së PD është me 75 067 anëtarë. Lista është e kyçur dhe sistemi mund të kontrollohet vetëm në praninë e përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar të PD”, tha Gjana, duke justifikuar më pas se lista nuk mund të binte në dore të kandidatëve për shkak se nuk e lejonte ligji për mbrojtjen e të dhënave personale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje