Bota

Garë e ngushtë midis dy partive rivale në Bullgari

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po presin sot me ankth rezultatet e zgjedhjeve në Bullgari, pasi qeveria që do të dalë nga këto votime do të vendosë për fatin e negociatave me dy vendet.

Rezultatet e zgjedheve parlamentare në Bullgari tregojnë një garë të ngushtë midis koalicionit GERB, të udhëhequr nga ish-kryeministri Boyko Borisov, dhe partisë së quajtur “Ka një popull të tillë”.

Me gati 90 për qind të votave të numëruara nga zgjedhjet e së dielës, grupi GERB ka 24.01 për qind të tyre.

Partia “Ka një popull të tillë”, me në krye prezantuesin televiziv, Slavi Trifonov, ka 23.48 për qind. Shumë agjenci të sondazheve parashikojnë se partia “Ka një popull të tillë” mund të dalë ende në epërsi ndaj GERB-it.

Në nëntor të vitit të kaluar, Bullgaria ka përdorur veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke i bllokuar nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Sofja kërkon fillimisht zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për gjuhën maqedonase, identitetin dhe aspekte të tjera historike, me pretendimet se ato kanë prejardhje bullgare.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se pavarësisht qëndrimit të fortë të zyrtarëve bullgarë, pret ndryshim të politikës së tyre kundrejt Maqedonisë së Veriut.

“Këtë herë presim që nga zgjedhjet të dalë një Parlament funksional dhe Qeveri politike për marrjen e dritës jeshile, pra për zhbllokimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së. Personalisht, mendoj se i kam adresuar të gjitha çështjet e rëndësishme në bisedimet dypalëshe më 17 qershor, kur e vizitova Bullgarinë. Mbetet të zgjidhet Parlamenti bullgar, që të ketë shpresë se do të merret një vendim për zhbllokimin e procesit integrues”, ka deklaruar Zaev.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë