Lulzim Basha bashkoi votat e grupit që e mbështet me ata të PS-së për të kaluar rritjen e pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses, përcaktuar në rendin e ditës të së enjtes. Para së të futej në Kuvend, i pyetur nga media, ai tha:

“…Asnjë shqiptar me dy pare mend në kokë nuk ka pse të dyshojë që vota për rritjen e pagave të gjyqësorit është votë për pavarësinë e gjyqësorit dhe një mundësi për ta mbajtur këtë qeveri përgjegjëse. Një gjyqësor i pavarur është një nga mundësitë për ta mbajtur larg korrupsionin. Ky është një nga ato projektligje që asnjë qeveri e korruptuar nuk do të kalojë. PD-ja do të votojë pro rritjes së gjyqësorit”, tha Basha, kur në fakt drafti për rritjen e pagave kishte ardhur si propozim nga qeveria (dhe jo nga grupi i tij) dhe një nga deputetët më të rëndësishëm të PS-së, Fatmir Xhafaj pak ditë më parë e abstenoi.
Në anën tjetër Sali Berisha ka argumentuar të kundërtën, duke deklaruar votën kundër rritjes së pagave për anëtarët e Kushtetueses.

“…Unë ju rikujtoj sot se gjykatësi më i fuqishëm, ai i Gjykatës Supreme në SHBA- presidenti i kësaj gjykate ka një rrogë vjetore prej 290 mijë dollarë. Presidenti i SHBA ka një rrogë prej 400 mijë dollarë.
Kurse ju përcaktoni një rrogë për të blerë një tufë gjykatësish, pothuajse dyfishi i rrogës së presidentit të republikës.
Për të treguar se nuk njihni shtet, por vetëm interesa pazaresh dhe mafiesh.
Si mund të flisni ju për pensionistë, kur i jepni një gjykatësi, që nuk ka qenë kurrë gjykatës, aq sa do marrin 80 pensionistë në muaj?
Ç’është ky akt mor? Pse kaloni në këtë shkallë pashpirtësie ekstreme?
Pazari dhe vetëm pazari janë kriteret tuaja dhe të Edi Ramës”, tha Berisha.
Edhe Oerd Bylykbashi më herët argumentoi të njëjtën logjikë.

“…Këshilli i Ministrave me propozim të Gjykatës Kushtetuese sillte për miratim ligjin për ndryshime në Gjykatën Kushtetuese, vetëm një gjë; t’i rrisim pagën gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Arsyetimi kryesor skandaloz. Duhet pagë dinjitoze dhe paga dinjitoze është 644 mijë lekë për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, për anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit se paguajmë dy Gjykata Kushtetuese ne dhe për çështje dinjiteti, kryetari duhet ta ketë 20% më shumë, 773 mijë lekë të reja. Bëjeni llogarinë merr sa 100 pensionistë me pension minimal”, tha Bylykbashi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje