Politike

Gati drafti i ri, ndryshon mënyra e llogaritjes së dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit

Autoriteti i Informimit për Dosjet e Sigurimit të Shtetit propozon disa ndryshime në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist

Ndryshimet prekin të internuarit në kampe me tela me gjemba; të lindurit dhe të miturit nën 15 vjeç në internim; rritjen e masës së dëmshpërblimit, me 25 vite burgim, për familjarët e të ekzekutuarve; vendosjen e pagesës fikse për të dënuarit me punë të detyruar si dhe zgjatje të afatit për subjektet përfituese.

“AIDSSH konsideron të nevojshëm; “a) adresimin e përshtatshëm ligjor të situatës së personave që vuajtën në kampe të internimit me tela me gjemba me qëllim vërtetimin e periudhës së internimit si dhe masën e dëmshpërblimit. Për rastet e pamundësisë së evidentimit të numrit të saktë të ditëve të kaluara në internim në kampe me tela me gjemba, propozojmë parashikimin e një mase dëmshpërblimi fikse të përcaktuar në ligj në vend se me 1000 lekë për ditë siç është parashikimi aktual. b)Adresimin e përshtatshëm ligjor të situatës së personave që lindën në internim apo ishin të mitur, nën moshën 15 vjeç, në kushte të internimit, me qëllim mundësinë e verifikimit administrativ, vërtetimit të internimit, përcaktimit të rolit të AIDSSh në këtë proces, si dhe përfitimit të një dëmshpërblimi qoftë edhe simbolik. Përfshirja  e këtij propozimi në ndryshimet e ligjit çon në rrëzimin e kufizimit moshor për përfitim nga të miturit që vuajtën në kampet e internimit me tela me gjemba”, thuhet në paketën e ndryshimeve

Për raste pamundësie të llogaritjes së kohës së saktë të kaluar në internim, sugjerohet edhe për këtë kategori alokimi i një shume fikse dëmshpërblyese.

Që prej vitit 2017 e deri me sot, Autoriteti ka trajtuar 1220 kërkesa të kësaj natyre ku një në tre ka rezultuar pa të dhëna arkivore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë