Bota

Gati mega-stërvitja ruse me raketa balistike, Putin e mbikëqyr personalisht. Në Donbas evakuohen civilët

Gazeta Si – Presidenti rus Vladimir Putin, do të mbikëqyrë personalisht stërvitjet e mëdha ushtarake që nisin nesër, të shtunën e 19 shkurtit.

Ato do të përfshijnë lëshimin e raketave balistike dhe do të testohen se sa gati janë armatimet e saj bërthamore.

Kremlini thotë se këto stërvitje janë të rregullta dhe këmbëngul se ato nuk janë një përshkallëzim i përplasjes me Ukrainën.

Aktualisht rreth 150,000 trupa ruse, avionë dhe marinarë mbajnë të rrethuar kufijtë e Ukrainës.

Trupat ushtarake ruse janë mbledhur pranë kufirit ukrainas që nga muaji nëntori, duke shkaktuar frikën e një pushtimi të shpejtë në lindje, për të cilën Sekretari amerikan i Shtetit Blinken tha se do të ndodhë në ditët në vijim.

Blinken shtoi se ka raporte të sigurta nga shërbimet sekrete, se Moska ka mashtruar botën me gjoja tërheqjen e trupave të saj nga kufiri me Ukrainën.

Ndërkohë, autoritetet e republikës së vetëshpallur të Donjeckut, njoftuan fillimin e evakuimit të fëmijëve, grave dhe të moshuarve nga rajoni i pavarësisë në rajonin rus të Rostovit, përtej kufirit, duke denoncuar rrezikun e një sulmi nga forcat ukrainase.

Operacioni, sipas zyrtarëve lokalë, ishte rënë dakord me Rusinë. Vetë autoritetet e Donjeckut akuzuan ushtrinë ukrainase se kishte hapur 30 herë zjarr në territorin e tyre sot.

Një zëdhënës i milicive separatiste, i cituar nga “Tass”, tha se ukrainasit qëlluan me copa artilerie, mortaja dhe tanke.

Pretendimi kryesor i Moskës, është heqja dorë nga anëtarësimi i Ukrainës në NATO, ndërsa pretekst për pushtimin janë të drejtat e nëpërkëmbura sipas Kremlinit të rusëve në Ukrainën lindore në zonat tashmë të pushtuara të Luhanskut e Donjeckut.

Megjithatë Rusia vazhdon të mohojë se ka plane për të pushtuar Ukrainën dhe akuzon Perëndimin për histeri.

Rusia ka përqendruar deri në 190,000 trupa “në terren rreth” Ukrainës, dukshëm më shumë trupa sesa dihej më parë.

Kështu deklaroi Michael Carpenter, ambasador i SHBA-së në OSBE. “Ne vlerësojmë se Moska ndoshta ka grumbulluar midis 169,000 dhe 190,000 në dhe rreth Ukrainës në krahasim me rreth 100,000 në 30 janar”, – tha Carpenter.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë