Bota

Gaza, Izraeli bombardon 15 km tunele të Hamasit

Ushtria izraelite ka goditur 15 kilometra të rrjetit nëntokësor të tuneleve të Hamasit në veri të Rripit të Gazës brenda natës.

Zëdhënësi ushtarak bëri të ditur se në veçanti, kalimet midis tuneleve të ndryshëm, të përcaktuar si ‘Linja C’ e rrjetit, ishin në qendër të sulmeve. Në përgjithësi, kishte rreth 35 sulme brenda 20 minutash.

Qyteti i Gazës është goditur vazhdimisht nga Veriu në Jug, pas njoftimit të kryeministrit Benjmanin Netanjahu se operacioni ushtarak do të vazhdojë.

Rrjeti elektrik i qytetit u dëmtua rëndë dhe shtëpitë e nëntë komandantëve të Hamasit përtej Rripit u goditën. “Shtëpitë e sulmuara u përdorën si infrastruktura terroriste dhe në disa madje u gjetën depo armësh”, – tha ushtria.

“Si pjesë e sulmit, rreth 35 objektiva terroristë u vunë në shënjestër për një periudhë prej afërsisht 20 minutash”, tha në një deklaratë ushtarake një zyrtar.

Sipas forcave të armatosura izraelite, 54 aeroplanë luftarakë morën pjesë në sulm, duke hedhur rreth 110 municione precize, duke shkatërruar 15 kilometra tunele.

“Ky sulm ishte pjesë e një operacioni të madh ushtarak për të dëmtuar ndjeshëm sistemin nëntokësor të organizatave terroriste në Gaza”, – raportoi ushtria.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, paralajmëroi se luftimet e mëtejshme mund të përfshijnë rajonin në një “krizë të papërmbajtshme” dhe u lut për një fund të menjëhershëm të dhunës “absolutisht të frikshme”.

OKB ka paralajmëruar gjithashtu për mungesa të karburantit në Gaza, gjë e cila mund të çojë në një humbje të kapacitetit në spitale dhe ambiente të tjera thelbësore.

Lynn Hastings, zëvendës-koordinatore speciale e OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, i tha BBC-së se ajo u bëri apel autoriteteve izraelite që të lejojnë OKB të shpërndajë karburante dhe furnizime.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë