Partizani-Laçi është ndeshja e parë e javës së 31-të të Superiores, që zhvillohet të shtunën në “Selman Stërmasi”. Tri ndeshjet e tjera luhen ditën e diel. Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka theksuar në konferencë shtypi se klubi i tij shikon vetëm punën e vet dhe nuk merret me deklaratat e të tjerëve. Megjithatë, një mesazh ia ka dërguar presidentit të Kukësit, i cili ditët e fundit është shprehur se Partizani është për vend të katërt. Të kuqtë janë 10 pikë para Kukësit dhe presin matematikën për të zyrtarizuar titullin.
Fillimisht, trajneri Gega foli për ndeshjen me Laçin, që drejtohet nga Starova, ish-trajneri i Partizanit: “Është folur shumë për titullin prej shumë kohësh, por ne vazhdojmë të jemi me këmbë në tokë. Futbollistët e ëndërrojnë titullin, ata stërviten njësoj dhe mendoj se ky është sekreti që po na çon te suksesi. Luajmë në fushën tonë ndaj Laçit, me tifozët që nuk na ndahen dhe besoj se këtë herë do të jenë të shumtë. Përballje me Starovën? Jemi profesionistë dhe shpesh mund të jemi në fronte të kundërta me atë që ka ndodhur në të kaluarën. Ka shumë ish-lojtarë apo ish-trajnerë të Partizanit, nuk është vetëm Starova. Secili ka perceptimin e vet për punën e tjetrit. Për mua, e rëndësishme është luhet futboll, edhe karshi vëllait tim dua të fitoj. Jam me fat që jam trajner i Partizanit dhe në këtë periudhë po kaloj momentet më të mira të karrierës sime. Nuk ka përballje trajnerësh, por përballje ekipesh”.

I ngacmuar për aleancat e mundshme në këto javë të fundit të kampionatit, Gega theksoi: “Nuk kam asnjë argument dhe asnjë provë për diçka të tillë. Është një çështje që nuk më intereson. Jo çdo ndeshje mund të fitohet. Humbjet nuk duhen parë si aleanca, por si dobësi. Mendimi im është se çdo klub ka projektin e vet dhe duhet të fokusohet aty. Partizani nuk është marrë dhe nuk do të merret me aleanca. Pas ndeshjes me Kastriotin u mbyllën “gojët e liga”. Secili mund të flasë atë që mendon, ndërsa paragjykimet mbeten. Të shohim çfarë do të bëjmë me Laçi, pastaj kemi Flamurtarin në Vlorë”.
Trajneri i të kuqve nuk ka dashur ta zbulojë formacionin për ndeshjen e nesërme: “Nuk mund ta deklaroj formacionin që tani, 24 orë para ndeshjes. Kemi pasur mungesa dhe kemi bërë modifikime në formacion, ku çdo lojtar që ka luajtur, ka dhënë maksimumin. Kalari është gati në çdo moment dhe na ndihmon, luan në çdo pozicion. Një lojtar me eksperiencë e ka të lehtë të luajë edhe në role të tjera”.
Trajneri i Partizanit e ka mbyllur konferencën për shtyp me Kukësin rival dhe deklaratën e presidentit Safet Gjici, i cili ka thënë se të kuqtë janë për vend të katërt. “Mbase rivalët kanë ndryshuar, ndoshta shohin diçka ndryshe te Partizani. Ne i kemi respektuar si si rivalë, kanë ekip të fortë dhe nuk duhet të lejojmë të na afrohen. Gjici? Nuk na përçmon dot askush. Nuk merremi me problemet e Kukësit, ndërsa Gjici ka të drejtën e tij të flasë. Kukësi ka dalë kampion më parë dhe nuk e di kush i ka marrë gjynahet e Partizanit. Nuk e kam parë ndonjëherë Gaz Demin të flasë për klubet e tjera. Te Partizani funksionojnë të gjitha levat e klubit. Fusha ka treguar dhe tregon gjithçka”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje