Futboll

Gega nuk pranoi klauzolën e titullit, Kukësi i beson Shehit

Vendin e lënë bosh në stolin e Kukësit nga Shpëtim Duro do ta zërë Orges Shehi. Ish-portieri dhe ish-trajneri i Skënderbeut ka arritur marrëveshjen me presidentin Safet Gjici dhe rikthehet kështu të drejtojë një skuadër pas më pak se një viti pushim. Një lëvizje e konfirmuar si nga presidenti Gjici, ashtu edhe nga vetë trajneri.

Pasi vari “këpucët në gozhdë” në vitin 2018, durrsaku mori drejtimin e Skënderbeut, ekipit ku mbajti shiritin e kapitenit dhe fitoi edhe 7 tituj kampion. Për një sezon drejtoi korçarët dhe tani emërohet në krye të Kukësit, ku ka firmosur deri në verën e vitit 2021.

Orges Shehi, trajneri i ri i Kukësit. Gazeta Si, 2 mars 2020

Klubi kuksian largoi trajneri Duro pas barazimit dramatik në Durrës me Teutën. Fillimisht u tha se pritej vetëm zyrtarizimi i Skënder Gegës, por gjithçka u prish në momentet e fundit. Nga burime konfidenciale të Gazeta Si mësohet se ish-trajneri i Partizanit nuk pranoi kushtin e titullit kampion për rinovimin e kontratës edhe për sezonin e ardhshëm. Pasi ra poshtë marrëveshja me Gegën, klubi vendosi të emëronte përkohësisht Rrahman Hallaçin trajner, ish-kapitenin e skuadrës. Në fund u mor vendimi për t’i besuar Orges Shehit, 42-vjeçarit që këtë sezon ka bërë opinionistin sportiv.

Kukësi është 4 pikë larg vendit të parë, që mbahet nga Tirana. Në pjesën e mbetur të kampionatit është e vështirë që të rikuperohet një diferencë e tillë, por veriorët do të luftojnë deri në fund. Tri javët e fundit rezultuan zhgënjyese për kuksianët, të cilët shumë pikë dhe njëkohësisht edhe kryesimin e Superiores. Me uljen e Shehit në stol pritet që situata të ndryshojë.

Shehi gjatë prezantimit me drejtorin sportiv Nexhipi dhe administratorin Gjici. Gazeta Si, 2 mars 2020

Pas prezantimit si trajneri i ri i Kukësit nga drejtori sportiv Nderim Nexhipi dhe administratori Lavdërim Gjici, Shehi tha: “Suksesi është i rëndësishëm për një trajner. E zgjodha Kukësin, sepse është një skuadër e madhe. Më shtyu cilësia e klubit dhe lojtarëve. Është e rëndësishme të kesh grupin. Kam qenë pa skuadër këto kohë, isha si analist në një studio dhe e kam ndjekur Kukësin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë