Futboll

Gega “snobon” Gjicin, Hoxha ka një mesazh për Ramën dhe Shametin

Java e 23-të e Superiores nis me ndeshjen Partizani-Kastrioti, që luhet të shtunën në kryeqytet. Të kuqtë kryesojnë me 5 pikë ndaj Kukësit dhe tashmë situata ka nisur të ndizet më shumë nga batutat mes rivalëve. Trajneri Skënder Gega, si gjithmonë me këmbë në tokë, ka ruajtur diplomacinë kur është ngacmuar në konferencë shtypi për deklaratat e Safet Gjicit, presidentit të Kukësit. Ai beson te profesionalizmi i skuadrës që drejton, ndërsa kapiteni Alban Hoxha u ka dërguar një mesazh të qartë kuksianëve, veçanërisht Valdet Ramës dhe Shametit.

“Kastrioti vjen nga ndeshje të mira dhe ne i kemi idetë të qarta, pasi duam të marrim maksimumin. Pozitive për Partizanin është që shënon, pra në sulm kemi zgjidhje, pastaj golat nuk janë në dorën time. E theksoj, më e rëndësishme është fitorja. Çdo ekip që vjen në Tiranë mbrohet, ndaj i kemi marrë masat, duke e vlerësuar një ndeshje të rëndësishme këtë me Kastriotin. Pas fitores me Skënderbeun në Korçë u sollëm si profesionistë dhe fituam edhe me Kamzën. Aludimet për atë ndeshje? Partizani është klub profesionist dhe unë mundohem të jap një mesazh pozitiv. Nuk i komentoj njerëzit që janë larg Partizanit. Është garë dhe të gjithë bëjnë batuta, aq më tepër Gjici, i cili është president ekipi.

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, në konferencë shtypi

Lojtarët janë me këmbë në tokë dhe punojnë mirë. Pritshmëria është shumë e madhe për Partizanin, por 5 pikë nuk janë shumë. I marrim ndeshjet me radhë dhe mundohemi të mos gabojmë. Çdo kundërshtar e vlerësojmë njësoj. Partizani ka përkrahje të jashtëzakonshme nga tifozët, ndoshta më shumë se çdo ekip tjetër. Erdhën në Korçë dhe na përkrahën deri në fund”, – theksoi në konferencë trajneri Gega.

Portieri Alban Hoxha është shprehur në konferencë se ky është viti i duhur për fitimin e titullit nga Partizani. Ai ka hedhur kunja për dy lojtarët e Kukësit rival, Valdet Ramën dhe Shametin: “Partizani çdo vit ka ecur mirë, por këtë sezon jemi shkëputur në krye. Nuk e mendoja më parë. Ekipet e vogla nuk duhen nënvlerësuar, duhet shumë kujdes që të gabojmë sa më pak. Partizani këtë sezon ka një frymë dhe harmoni tjetër. Jemi një grup më i mirë dhe ambienti është i mirë, ndaj kemi rezultate. Kampionati ka hyrë në një fazë të vështirë dhe nëse nuk ndikojnë faktorët e jashtëm, ky është viti i duhur për titullin. Valdet Rama? Edhe Partizani mori Edgar Çanin si blerje të madhe, por nuk doli gjë. Bardhi, Asani dhe Mala janë më të rinj, por e kuptojnë situatën dhe nuk ka vend për eufori. Shameti? Kur thumbon rivalët me batuta do të thotë se ke frikë. Ne kemi folur në fushë. Nuk e di tamam çfarë ka thënë Shameti, por edhe ai do të marrë nga presidenti i vet. I kanë qejf batutat te Kukësi, ne jemi më të qetë”, – tha Hoxha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë