Nga Gazeta ‘Si’-Instituti i Studimeve Politike vlerëson nga të dhënat monitoruese, se gjatë pesë viteve të vettingut në drejtësi, deri në korrik të këtij viti, 49 vendime të formës së prerë dhënë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) kanë ndryshuar vendimmarrjen e nivelit të parë të vettingut, KPK (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit).
ISP deklaron se thelbi i reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut ishte pikërisht krijimi i standardeve të njëjta të vlerësimit dhe largimi nga sistemi i prokurorëve apo gjyqtarëve që nuk plotësojnë një ose më shumë nga tre kriteret(aftësia profesionale, integriteti dhe verifikimet e pasurisë)
Sipas ISP, fakti që një numër i konsiderueshëm vendimesh në KPK janë marrë me shumicë votash, pra me dy vota pro dhe një kundër, se disa vendime të KPA janë marrë gjithashtu me shumicë votash (4/1 ose 3/2), se ka pasur 88 apelime nga ana Komisionerët Publikë ndaj KPK-së, – është tregues se vendimmarrjet në KPK & KPA & IKP kanë qenë të diskutueshme dhe për rrjedhojë, edhe standardi i vlerësimit / vettingut nuk rezulton të ketë qenë i njëjtë.
“Për më tepër, fakti se së paku në 3 raste Gjykata e Strasburgut ka dhënë vendime kundër KPA+KPK+IKP është gjithashtu tregues shtesë i shqetësimeve lidhur me standardet e aplikuara të vettingut. Si në rastet kur vendimet devijojnë nga standardet apo kur përforcojnë standardet, institucionet dhe vetë individët vendimmarrës në KPK, KPA, IKP, etj, duhet të marrin meritat (tek rastet e suksesshme profesionale) apo përgjegjësinë (tek rastet e devijimeve nga standardet e mira)”, deklaron ISP.
ISP thekson se gjatë procesit ,vetë institucionet e vettingut kanë vlerësuar negativisht rekordet e subjekteve, kur vendimet e tyre janë rrëzuar në instanca më të larta dhe ngre pyetjen nëse ato vetë, janë të gatshme të pranojnë të njëjtin standard vlerësimi për veten e tyre.
“Gjatë viteve ka pasur raste kur anëtarë të KPA apo KPK janë hetuar, shkarkuar ose janë nën hetim për shkelje të ligjit, – cila është pasoja e tyre juridike në vetting dhe cila është shkalla e përgjegjësisë që marrin vetë këto organe, të cilat në momentin e krijimit u betuan për integritet, transparencë, qasje reformatore dhe dhënie të drejtësisë në shkallën e saj më të lartë? Cila është përgjegjësia e Kuvendit, si strukturë zgjedhore e tyre dhe cili është roli i politikanëve përgjegjës që përdoren veton e zgjedhjes, cila është përgjegjësia e institucioneve ndërkombëtare që imponuan vetingun si zgjidhje shteruese dhe ‘e ndaluar’ të kritikohet”- deklaron Instituti i cili thekson se pas 5 viteve vetting është e rëndësishme të ketë një analizë nga vetë institucionet e drejtësisë dhe një “auditim” profesional përmes ekspertëve të pavarur nga Kuvendi, për të vlerësuar, bilancin, arritjet, problematikat dhe sfidat e ardhshme të vettingut të realizuar ose të munguar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje