Agron Gjekmarkaj me anë të një statusi në rrjetet sociale ka sulmuar ashpër dy linjat në PD, të cilat sipas tij, vetëm po e dëmtojnë partinë më të madhe të opozitës dhe nuk po krijojnë një trupë të bashkuar dhe të përgjegjshme politike. “Nuk shkon shoqëria te PD për interesa personale të disa individëve. Nuk i ka shoqëria borxh PD-së. Ndërkohë perspektiva e Shqipërisë kërkon ura dhe jo mure për rindërtimin e opozitës. Ajo ka nevojë dialektike për të ruajtur e thelluar standardet demokratike, zhvillimin ekonomik e triumfin e drejtësisë kundër korrupsionit”, shkruan Gjekmarkaj.
Sipas tij, “demokratët prej dy vitesh i kërkojnë trupës së tyre politike përgjegjshmëri e cila nuk po vjen”. “PD-së prej kohësh i kërkohet një minimum për të filluar ringritjen. Ai është bashkimi, themeli nga ku duhet të ngrihet struktura e re e saj, modernizimi dhe hapësira për të thithur nevojat e shoqërisë dhe përfaqësuesit e saj. Shoqëria po pret PD-në”, shkruan ai.
Sipas Gjekmarkajt, “te qendrat e vendimarrjes opozitare zhvillohen ngjarje komike e dramatike, natyra e të cilave e ul edhe më peshën e “PD-ve” në sytë e shqiptarëve, pikërisht kur flitet për inceneratorët, sterilizimin e plot skandale të tjera”.
“Diku një bunker i vockël si furrik, pak më tej një më i madh, po gatiten t’i vërtiten njëri-tjetrit duke harruar betejën me pushtetin si dhe nevojën për të rishpikur fabulën motivuese e fituese.
Ata duke injoruar thirrjet e vazhdueshme të opinionit publik, të zërave të arsyeshëm, të mbështetësve por edhe të pjesës më të madhe të grupit të parlamentar për unfikim strategjish dhe përpjekjesh në betejë me qeverinë, shohin veç menderen e tyre. Por në këtë galop alogjik e vetëshkatërrues edhe ajo rrezikon të mbetet zbuluar”, shprehet Gjekmarkaj.
“Ata të paktë deri në dhimbje e gaztorë në zell që po tentojnë të rrëmbejnë simbolet, po aq të tjerë që flasin për një grup të ri parlamentar përtej grupit të PD, po shkatërrojnë çdo mundësi për seriozitet në përballjen tonë me kundërshtarin duke ndërtuar kësisoj, qetësinë afatgjatë të kryeministrit, i cili i ndërsen kundër njëri-tjetri plot argëtim e gëzim teksa çdo palë e opozitës akuzon tjetrën si shërbëtore të Edi Ramës. Në fakt, po i shërbejmë.
“Pse rendni për të vdekur o të mjerë”, na kujton Homeri!!!”, përfundon statusin e tij deputeti Agron Gjekmarkaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje