Politike

Gjekmarkaj: Situata në PD, pasojë e luftës brenda të njëjtit mentalitet  

Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj, i dorëhequr nga posti i nënkryetarit të partisë, tha gjatë një fjalimi në Kuvend se, situata në të cilën ndodhet PD-ja është pasojë e të njëjtit mentalitet si në të shkuarën.   

“…Kur ka pasur reflektim për kushtrimin e lëshuar, ajo është bërë më demokratike dhe Shqipëria po aq.

Ajo është bërë fituese dhe Shqipëria po kaq ka fituar. Sot, pas 32 vitesh ajo është në një kapërcyell ekzistencial mes ideve të reja dhe tabuve të vjetra.

Në konfliktin disa mujor, nuk jemi sot në këtë pikë për fat të keq se përplasen dy mentalitete, një i ri dhe një i vjetër.

Jo. Në këtë pikë na ka çuar lufta civile brenda të njëjtit mentalitet dhe mendësi.

E reja, e ndryshmja, nuk zë në truallin e unit, në tokën që ujitet vetëm me interesa personale që ambalazhohen si kauza të përbashkëta”, tha ai.

Sipas tij, krizat tejkalohen kur shfaqet nje mendësi e re.  

“Në PD sot gjithkush flet për gjithçka. Në PD sot s’ka as tabu, as mite, thjesht një muze i përkohshëm për to. Zërat e shumtë i japin fytyrë krizës, por nuk mund ta zgjidhin atë.

Ne të PD na ka lodhur e konsumuar pushteti i munguar, me shpresën se kjo shërben për të ndryshuar kulturën politike në vend. Kjo ndodh nëse turma nuk kërkon kokën e Sokratit në emër të tiranit…”, tha ai ndër të tjera


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë