Gjermani-Holandë është një nga ato ndeshje, ku asnjëherë nuk njihet fjala “miqësore”. Kryqëzimet e dy prej kombëtareve më të forta të historisë kanë lënë gjurmë të thella në futboll, por pesë janë ndeshjet më emocionuese mes këtyre skuadrave, që ndeshen sot në mbrëmje në Holandë, plus dy sfidat e Ligës së Kombeve në vitin 2018.
Botërori 1974 – Në Botërorin e Gjermanisë të vitit 1974, Holanda ishte qartësisht skuadra më e fortë, me dy yje si Krojf dhe Neskens, por edhe me një grup shumë solid, që luante në mënyrë të jashtëzakonshme. Finalja e Mynihut ishte sfida e parë zyrtare mes dy skuadrave dhe Gjermania fitoi me përmbysje. Holanda kaloi në avantazh me penalltinë e Neskens, Gjermania barazoi me Brajtnerin po me penallti dhe më pas shënoi golin e fitores me oportunistin Gerd Myler. Për holandezët kjo është humbja më e hidhur dhe mesfushori Vim Van Hanegem në atë kohë tha: “Nazistët më kanë vrarë babanë, motrën dhe dy vëllezërit. Jam shumë i nevrikosur me ta, i urrej”.

Botërori 1978 – Katër vite më pas, Holanda dhe Gjermania përballen sërish. Ndeshje spektakolare, që përfundoi 2-2, me gjermanët që kaluan dy herë në avantazh me Abramczuk dhe Dieter Myler, por dy herë shënuan edhe holandezët me Han dhe Van de Kerkhof. Më pas Holanda mundi Italinë, kurse Gjermania humbi me Austrinë. Gjermania u eliminua, ndërsa Holanda kaloi në finale, ku u mund nga Argjentina, vendi organizator.
Europiani 1980 – Europiani i 1980-ës u luajt në Itali, me 2 grupe gjysmëfinaliste me nga 4 skuadra. Gjermania dhe Holanda u përballën në Napoli dhe në fillim u duk një masakër për holandezët. Pas një ore lojë, gjermanët ishin në avantazh 3-0, me një tripletë të Klaus Alofs. Pastaj një tentativë barazimi e guximshme nga holandezët me Xhoni Rep dhe Uili Van de Kerkhof. Holanda i shkoi shumë afër barazimit. Gjermania fitoi si grupin, ashtu edhe finalen me Belgjikën.

Europiani 1988 – Në “Volksparstadion” të Hamburgut, Gjermania dhe Holanda u ndeshën në gjysmëfinale të Europianit 1988. Lotar Mateus kaloi në avantazh të zotët e shtëpisë me penallti, por më pas doli në pah klasi i holandezëve, të cilët barazuan me Ronald Koeman dhe më pas shënuan golin e fitores me Marko Van Basten. Holanda fitoi Europianin, pasi mundi në finale Bashkimin Sovjetik të saj kohe. I vetmi trofe i rëndësishëm i fituar deri tani nga Holanda.
Botërori 1990 – Frank Rijkard nuk duhet ta ketë pasur qejf gjermanin Rudi Fëler, të cilin, pas një faulli në dëm të tij, e pështyu, e shau dhe e shtyu, por zënka vazhdoi edhe në dhomat e zhveshjes. Ishte ndeshja e 1/8-ve të Botërorit të Italisë dhe u kualifikua Gjermania, që në “San Siro” fitoi 2-1, me gola të Klinsman dhe Brehme, kurse për Holandën shënoi Ronald Koeman.

Liga e Kombeve 2018 – Pasi dështoi të kualifikohej për në Botërorin e Rusisë, Holanda kërkoi të hapte një faqe të re në historinë e saj, duke synuar rilindjen. E mundi thellë Gjermaninë, që në Rusi ishte paraqitur shumë dobët. Në Ligën e Kombeve, Holanda fitoi 3-0, me gola të Van Dijk, Depai dhe Uijnaldum. Trajneri Koeman u besoi talenteve, ndërsa gjermanët nuk njiheshin në “Johann Cruyff Arena”. Një muaj më pas, sërish në Ligën e Kombeve, ndryshuan disa gjëra, por edhe rezultati. Avantazhi 2-0 i Gjermanisë u shpërdorua në 6 minutat e fundit, kur Holanda barazoi me Promes dhe Van Dijk.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje