Politike

‘Gjërat mund të shkojnë për dreq’… Rama, letër Macronit dhe Scholzit: Duhet ndërhyrje sa më parë për Kosovën, situata po degradon në veri

Nga Gazeta ‘Si’ – Kryeministri Edi Rama ka komentuar situatën në veri të Kosovës ku i ka bërë sërish apel Serbisë për të liruar pa kushte tre policët e rrëmbyer.

Ai deklaroi se nëse ata nuk lirohen, marrëdhëniet me Serbinë nuk do të normalizohen.

“Nuk ka si të ketë dialog pa kthimin e tyre në shtëpi, madje nuk mund të këtë normalitet as në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë përsa kohë Serbia nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve të cilët nuk kanë kryer asnjë krim.

Edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit, sikur ta marrin të mirëqenë këtë pretendim, dihet se në çdo legjislacion për kalim të paligjshëm të kufirit, njerëzit arrestohen pyeten dhe kthehen mbrapsht. Mbajtja e tyre në burg është e pajustifikueshme dhe e papranueshme”, tha Rama ndërsa shtoi se i ka dërguar një letër të dytë presidentit të Francës Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të KiE, Charles Michel për zbatimin medoemos të planit franko-gjerman.

“Kështu që vajtje-ardhjet në Bruksel me këto xhirot ku shkon puna deri në pikën që palët bëjnë edhe konferenca shtypi, do të shkoj apo jo, ndërkohë që situata në terren degradon përditë.

Shpërthimi i asaj situate në formën e një përplasje do të kishte pasoja të jashtëzakonshme për të gjithë prandaj është e rëndësishme që të dy liderët, bashkë me këdo qoftë rreth tyre, të mbyllen brenda në një konferencë nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë. Në një konferencë normalizimi pa të drejtë daljeje deri kur të përfundojë bashkëbisedimi dhe të trajtohen pikat që askush nuk i kundërshton”, tha ai.

Ndër të tjera Rama ka theksuar se politika e brendshme e Vuçiç dhe e Kurtit nuk mund të mbajë peng të gjithë rajonin e Ballkanit dhe se përplasjet në rajon i shkojnë për shtat vetëm politikave të Rusisë.

“Duhet ta kuptojnë të gjithë që kërkojnë të shtyjnë zvarrë këtë proces se interesi ynë kombëtare e si shtet kërcënohet nga kjo situatë. Ky rajon nuk është as i Albinit e as i Aleksandrit, po i popujve që e popullojnë dhe që e administrojnë. Sot jemi në mes të një Europe që kërkon me çdo kusht të mbështesë paqen. Kjo situatë i shkon përshtat vetëm një fuqie që është Rusia dhe asnjë shtetit tjetër. Nga kjo përplasje nuk fiton as Europa, fiton vetëm Rusia”- tha Rama ndërsa shtoi se është i gatshëm të takohet me Kurtin në çdo moment dhe Serbia nuk bën dot asnjë hap ushtarakisht në Kosovë. Rama tha se arsyeja që ai insiston ne kete proces, eshte se gjërat sipas tij ‘mund të shkojnë për dreq’


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë