Verdikte dhe drama në javën e fundit të Bundesligës, ku nuk kanë munguar befasitë. Pas Shalke 04, ka rënë nga kategoria edhe Verder Bremeni i Milot Rashicës, një skuadër që nuk binte në Bundesligën 2 që prej 1980-ës. Verderi u mund 4-2 nga Borusia Mënshengladbah dhe u kalua në renditje nga Këlni, që duhet të luajë ndeshje shtesë për të mbijetuar.
Robert Levandovski ndërkohë, në minutën e 90-të ka shënuar golin numër 41 në kampionat, duke thyer rekordin e Gerd Mylerit. Tashmë polaku është më i miri i të gjitha kohërave në Bundesligë. Bajerni fitoi 5-2 në derbin bavarez me Augsburgun. Pas ndeshjes së fundit, te Bajern Mynih ishte koha e lamtumirave. Bavarezët kanë përshëndetur trajnerin Hans Flik, asistentët e tij Gerland dhe Klose, por edhe futbollistë si Alaba, Boateng dhe Javi Martinez.

Në Ligën e Kampionëve, përveç Bajernit kampion, shkojnë edhe Lajpcigu, Borusia Dortmund dhe Volfsburgu. Në Ligën e Europës do të luajnë Eintraht Frankfurt dhe Bajer Leverkusen, kurse në Ligën e Konferencës Union Berlin, që merr pjesë për herë të parë në një kompeticion europian.
Interesant është edhe valsi i stolave. Kampionët e Gjermanisë do t’i drejtojë Nagelsman, i cili do të lërë Lajcigun, ku do të shkojë Marsh. Borusia Dortmund do të drejtohet nga Rose i Gladbah, ndërsa këtë të fundit do ta drejtojë Huter i Eintraht Frankfurt. Ikja e këtij të fundit ka sjellë shumë debate, pasi javët e fundit Eintrahti pati një rënie të theksuar dhe humbi shansin për të shkuar në Ligën e Kampionëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje