Bota

Gjermani, skandal abuzimesh seksuale në Kishën e Këlnit

Janë 202 persona përgjegjës dhe 314 viktima të abuzimeve seksuale që dyshohet se kanë ndodhur vitet e fundit në Arqipeshkvinë e Këlnit, Gjermani, sipas raportit të hetimit të paraqitur në një konferencë shtypi nga avokati penal, Bjorn Gercke, në lidhje me veprimet e kishës, të viteve 1975-2018.

Rreth 63% e personave të akuzuar, i përkasin klerit. “Unë jam thellësisht i turpëruar”, tha Kardinali i Këlnit, Rainer Maria Woelki, duke dënuar “fshehjen” e fakteve, të ndodhura në të kaluarën, në lidhje me dhunën seksuale në arqipeshkvinë e Këlnit.

“Veprimet ligjore duhet të kenë pasoja edhe për anëtarët e klerit,” tha ai.

Ajo që u prezantua, ishte në të vërtetë një pamje e pjesshme e dosjes së plotë, e cila do të jetë në dispozicion vetëm në të ardhmen.

Në fakt, nga 25 marsi deri në 1 prill, si raporti i Gancke Chancellery, ashtu edhe ai i mëparshmi nga kancelaria Westphal-Spilker-Wastl, do të jenë në dispozicion për një lexim personal nga kushdo që e dëshiron atë në një dhomë të vënë në dispozicion nga Dioqeza e Këlnit.

Vetëm atëherë, raporti i Gerckes, do të publikohet dhe do të bëhet i disponueshëm në internet.

Sipas asaj që u njoftua nga peshkopi aktual i Hamburgut, Imzot S.Heße, i cili ishte drejtor i personelit dhe më pas kreu i përgjithshëm i dioqezës së Këlnit, dyshohet se ka shkelur detyrimet e zyrës në fushën e abuzimit seksual në kishë në njëmbëdhjetë raste.

24 shkelje të detyrimeve të zyrës, i atribuohen paraardhësit të Woelki, të ndjerit, Kardinal J. Meisner.

Peshkopi aktual ndihmës, D.Schwaderlapp, u gjet përgjegjës për 8 shkelje të detyrimeve të zyrës në lidhje me periudhën në të cilën ai mbante rolin e kreut të përgjithshëm të dioqezës së Këlnit.

Kardinali J.Höffner, paraardhësi i Meisner në krye të dioqezës, dyshohet se ishte përgjegjës për 8 shkelje të detyrimeve të zyrës në lidhje me abuzimin seksual.

Gjithashtu, sipas asaj që doli gjatë konferencës për shtyp, 36% e abuzimeve datojnë në periudhën para vitit 1975.

Nga 2010-ta e tutje, është regjistruar një rritje e re e rasteve, në përgjithësi rreth 25% e të gjithë atyre të identifikuara.

Kardinali Woelki, pezulloi menjëherë peshkopin ndihmës Schwaderlapp dhe ndihmësin ligjor G.Assenmacher nga të gjitha pozitat, duke njoftuar gjithashtu se raporti do të dërgohet menjëherë në zyrat përkatëse të Selisë së Shenjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë