“Anëtarësimi i Shqipërisë është përparësia jonë”. Ky ishte mesazhi i Berlinit zyrtar ditën e sotme, edhe pse disa javë më parë pati sinjalizuar se nga rozë, perspektiva europiane e vendit tonë ishte bërë e zezë.
Sinjali pozitiv erdhi gjatë një sërë takimesh të nivelit të lartë të ministrit në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në vizitën e tij zyrtare në Berlin
Fillimisht zoti Cakaj u takua me Kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestag, Günther Krichbaum dhe një sërë deputetësh të tjerë të angazhuar me procesin e Integrimit Evropian. “Bundestag ndjek me shumë interes dhe vëmendje të shtuar ecurinë e prioriteteve të dakordësuara për çeljen e negociatave me Shqipërinë, me në fokus krijimin e institucioneve të reja të reformës në drejtësi si dhe plotësimin e vendeve boshe në Gjykatën Kushtetuese” deklaroi Krichbaum. “Republika Federale e Gjermanisë ka mbështetur dhe do vazhdojë të mbështesë procesin e Integrimit Evropian të Shqipërisë”, shtoi ai.

Por Përfaqësuesi i CDU-së, Joachim Valenski nuk duket të jetë aq optimist. Gjatë takimit me Cakaj, ai i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare për rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gent Cakaj zhvilloi një takim edhe me Ministrin gjerman të Shtetit për Çështje Evropiane, Michael Roth. Roth theksoi se Shqipëria është faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon dhe vendi duhet të vijojë punën me reformat e ndërmarra.

“Procesi i Vetingut në drejtësi është një reformë e jashtëzakonshme”, tha Ministri Roth.
Ndërkohë Përfaqësuesi i të gjelbërve, Manuel Sarrazi, u shpreh se: “Ne i kemi premtuar Shqipërisë çeljen e negociatave me kushtin e përmbushjes së pesë prioriteteve. Mendoj se Shqipëria ka bërë një progres të prekshëm dhe ashtu sikundër ata kanë realizuar premtimin e tyre, tani është detyrë e jona të mbajmë premtimin e dhënë.
Gjatë qëndrimit në Berlin, ministri në detyrë u takua me Këshilltarin e Kancelarisë Federale për Punët e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Jan Hecker, të cilin e informoi mbi situatën politike në vendin tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje