Bota

Gjermania aprovon dërgimin e armëve të rënda. NATO mirëpret Suedinë e Finlandën

Gazeta Si – Bundestagu gjerman ka miratuar dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë. Pas debatit parlamentar, mocioni u miratua me votat e mazhorancës dhe opozitës: 586 vota pro, 100 kundër, shtatë abstenime.

Bundestagu gjerman kërkon të dërgojë një sinjal solidariteti dhe mbështetje për Ukrainën, por edhe të tregojë unitetin brenda politikës gjermane.

Pas disa javësh debati, Unioni i CDU/CSU dhe partitë e koalicionit qeverisës, SPD, Të Gjelbrit dhe FDP kanë shuar grindjen për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë dhe votojnë të enjten së bashku për dorëzimin e tyre.

Në një deklaratë të publikuar në Berlin nga krerët e grupeve parlamentare, thuhet se ky është një sinjal i përgjegjësisë për Ukrainën dhe vendosmërisë kundër agresionit të Rusisë.

Gjermania qëndron e vendosur në krah të Ukrainës në luftën e saj për liri, theksojnë parlamentarët gjermanë.

Mbështetja për të drejtën e vetëmbrojtjes e Ukrainës është me rëndësi për mbrojtjen e paqes dhe lirisë në Europë dhe po ashtu për kërkimin e një zgjidhjeje diplomatike.

“Nëse Suedia dhe Finlanda vendosin të anëtarësohen në NATO, ata do të priten me krahë hapur”.

Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për mediat me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

“Ne kemi vite që punojmë me këto vende, e dimë që forcat e tyre kanë standarde të NATO-s, ne kemi kryer shumë misione së bashku dhe pres që procesi të jetë i shpejtë pasi të kryhen formalitetet” – tha ai.

Natyrisht, “ne do të gjejmë marrëveshje sigurie në këtë periudhë derisa zgjedhja e tyre të ratifikohet”.

“Pushtimi brutal” i Ukrainës, tregon nevojën që NATO të ofrojë mbështetje për ato vende evropiane që nuk janë as anëtarë të NATO-s dhe as anëtarë të BE-së”, – sqaroi Stoltenberg, duke përmendur rastet e Moldavisë dhe Gjeorgjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë