“Kriza energjetike ka afruar rrezikun e falimentimit për shumë spitale dhe klinike private në Gjermani”, deklaroi ministri gjerman i shëndetësisë Karl Lauterbach, duke ngritur kështu një sinjal të ri alarmi për rrjetin e shërbimeve shëndetësore në vend.
“Nëse nuk reagojmë shpejt dhe realisht në mënyrë drastike, do të ketë mbyllje të objekteve shëndetësore. Hapat e radhës janë bisedimet për dhënien e më shumë ndihmave financiare federale për spitalet dhe klinikat me Ministrin e Financave Christian Lindner të martën(18 tetor)”, u shpreh Lauterbach.
Por ai nuk dha shifra për mbështetjen financiare të qeverisë.
“Mbetet për tu parë sa do të jetë ndihma në këtë drejtim. Qeveria nuk mund të krijoj fonde të posaçme për çdo sektor.”
Federata Gjermane e Spitaleve i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të shmangur rrezikun e mbylljes së spitaleve.
“Sektori përballet me një boshllëk financimi prej rreth 15 miliardë euro për të përmbushur nevojat e tij materiale dhe energjetike për periudhën 2022-2023.”
Shteti gjerman me më shumë se 83 milionë banorë, sipas të dhënave nga mediat vendase ka gjithsej në funksion 1.900 spitale me një kapacitet total prej 490.000 shtretërish.
Në një përpjekje për t’u përgatitur për një dimër pa furnizime ruse me energji , Gjermania njoftoi se rezervat e saj të gazit janë mbushur deri në 95% më shpejt se sa ishte parashikuar.
Ekonomia më e madhe në Europë ishte kryesisht e varur nga gazi rus dhe u përpoq të rriste furnizimet e saj para dimrit pasi eksportet nga Rusia u ndaluan pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Berlini vendosi një sërë objektivash në korrik për të siguruar që rezervat e gazit do të mbusheshin 95% deri në nëntor. Berlini ka zbatuar gjithashtu politika që lejojnë përdorimin e më shumë energjive me bazë qymyri dhe konsumin më të ulët të energjisë në strukturat publike. Për më tepër, Gjermanisë mund t’i duhet të kufizojë përkohësisht eksportet e saj të energjisë elektrike , duke përfshirë edhe Francën.
Financial Times citoi Hendrik Neumann, zyrtarin kryesor teknik të operatorit kryesor të rrjetit gjerman Amprion, duke thënë se kjo mund të jetë “zgjidhja e fundit” e Gjermanisë.
Për shumë vite, Gjermania është konsideruar si një eksportues kryesor i energjisë elektrike. Sipas të dhënave nga rregullatori i rrjetit, vitin e kaluar, ajo furnizoi 17.400 GWh më shumë energji elektrike për vendet e tjera të BE-së sesa importoi, por sanksionet ndaj Rusisë kanë dëmtuar ekonominë më të madhe të Europës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje