Bota

Gjermania ka prova për krime lufte në Ukrainë. Medvedev kërcënon me armë bërthamore

Gazeta Si – Gjermania ka mbledhur prova të krimeve të luftës në Ukrainë. Prokurori i Përgjithshëm Peter Frank, tha për gazetën “Welt am Sonntag”, duke shtuar se ai sheh nevojën për një gjyq ndërkombëtar.

“Aktualisht, ne jemi duke u fokusuar në vrasjet masive në Bucha ose sulmet kundër infrastrukturës civile ukrainase”, tha Frank, duke shtuar se deri më tani prokurorët kanë prova “tre shifrore”.

Kur u pyet se kush duhet të gjykohet, ai u përgjigj: “Udhëheqësit e Rusisë dhe ata që zbatojnë vendimet në nivelin më të lartë ushtarak duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Ndërkohë, Dimitry Medvedev, numri dy i Këshillit të Sigurimit rus, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Tass”, është shprehur se Rusia mund të përdorë “edhe armët bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë, nëse Ukraina do të sulmojë territore”, ruse, sipas tij të quajtura “të thella”.

Sakaq, një shpërthim i madh ka ndodhur në një fabrikë në rajonin e Belgorodit në Rusi. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë zjarrin që ngrihet deri në 50 metra lartësi, pasi dyshohet se shpërtheu një depozitë nafte.

Mediat ruse raportuan ngjarjen dhe për këtë akuzuan forcat ukrainase. Sipas tyre, kjo fabrikë ka ndihmuar në rindërtimin e urës së shkatërruar në Krime.

“Një objekt industrial u sulmua nga Forcat e Armatosura të Ukrainës gjatë natës”, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov, i cili shtoi se nuk ka raportime për persona të lënduar nga kjo ngjarje.

Ndërkohë, mes 10,000 dhe 15,000 ushtarë rusë, kanë mbërritur në Mariupol javën e kaluar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ushtarëve të Federatës në qytetin e pushtuar juglindor të Ukrainës në 30,000.

Kështu raportoi këshilltari i kryetarit të bashkisë në mërgim, Petro Andryushchenko: “Ka rreth 30,000 pushtues, të përqendruar në Mariupol dhe në rreth”. Për këto trupa, prioritet duket të jetë sulmi në Vugledar dhe Zaporizhzhia, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë