Pas reagimit të ashpër të Berlinit zyrtar mbi protestat e opozitës në Tiranë një ditë më parë, Ministri gjerman për Çështjet Evropiane, Michael Roth ka dënuar sërish dhunën ndaj institucioneve, duke e cilësuar si të papranueshme.
Në një takim në Berlin me ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, Roth rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për perspektivën europiane të Shqipërisë, duke u shprehur se Tirana meriton hapjen e negociatave.
Ministri gjerman theksoi edhe njëherë se respektimi i institucioneve demokratike dhe kushtetuese është themelor për të ardhmen e vendit tonë.
Në një postim në Twitter, Roth i dërgoi një mesazh opozitës, duke shkruar se është shumë i shqetësuar për shkak të dhunës së ushtruar gjatë protestës.
“Takim me Gent Cakaj, në një moment kyç. Jam shumë i shqetësuar nga dhuna e përdorur në protestën e fundit të opozitës. Një mesazh shumë i qartë për opozitën Dhuna nuk është aspak e pranueshme. Ndërkohë ne vazhdojmë të mbështesim perspektivën europiane të Shqipërisë. Na duhet të mbajmë premtimet e dhëna”, shkruan Roth.
Sipas një njoftimi të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, ministri gjerman vlerësoi ritmin e reformave dhe inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me punën e mirë.
“Shqipëria ka avancuar shumë në rrugën e integrimit dhe meriton hapjen e negociatave”, u shpreh Roth, duke konfirmuar se Gjermania mbetet një mbështetëse e fuqishme e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ministri gjerman u shpreh se vendimi për hapjen e negociatave është i rëndësisë strategjike jo vetëm për të shtuar ndërlidhjen institucionale, por edhe për Ballkanit Perëndimor në tërësi.
Sipas njoftimit zyrtar, të dy ministrat konstatuan se Shqipëria ka arritur progresin e nevojshëm për hapjen e negociatave dhe se vendimi politik do të jetë i bazuar në raportin e komisionit.
Nga ana e tij, Cakaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe po i jep Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje