Pas Europianit Gjermania do të ketë një fytyrë tjetër, të paktën në stol. Nuk do të jetë më Joakim Lëv, në vend të tij do të ulet Hansi Flik, i cili sapo ka lënë Bajernin e Mynihut. Ai e drejtoi këtë skuadër për 18 muaj, fitoi 2 tituj kampion, një Kupë Gjermanie, një Superkupë Gjermanie, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Europës dhe Botërorin e Klubeve.
Flik ka firmosur një kontratë deri në 2024-ën, nga e cila do të përfitojë 5 milionë euro në vit (Lëv merrte 3.5 milionë). Përveç Botërorit të Katarit, Flik do ta drejtojë Gjermaninë edhe në Europianin që pas 3 vitesh do të zhvillohet pikërisht në tokën gjermane. Federata Gjermane e Futbollit njoftoi zyrtarizimin e trajnerit të ri me anë të Tuiterit.

“Jam i surprizuar sa shpejt shkuan gjërat, jam shumë i kënaqur të filloj punën si trajner i kombëtares gjermane”, – ka thënë Flik pas firmës. “Jam krenar që federata arriti të gjente një akord me Flik, – pohon drejtori teknik Oliver Bierhof. – Hansi ishte menjëherë emri i parë në listën tonë”. Pas disa javësh pushime, Flik më 15 qershor duhet të jetë në tribunë për të ndjekur nga afër ndeshjen e Gjermanisë ndaj Francës në Monako.
Ditët në vazhdim do të prezantohet edhe stafi i Flik, i cili dëshiron të punojë sërish me Mirosllav Klosen, ashtu si te Bajerni. Ish-sulmuesi në fakt po pret rastin për të qenë trajner i parë i një klubi dhe është në bisedime me Dyseldorfin. Janë dy opsione shumë të ndryshme dhe Klose kërkon të reflektojë, ndërsa Flik insiston për ta pasur në kombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje