Futboll

Gjesti i Atletikos, mban në regjistrin e ortakëve dhe tifozët që s’janë më

Pandemia nga koronavirusi nuk kurseu askënd, as tifozët. Tek Atletiko Madrid po bëjnë llogaritë e ortakëve të klubit që kanë humbur jetën nga koronavirusi. Për momentin janë 32, pasi dihet që Spanja ka qenë një nga vendet më të goditura nga virusi, por klubi madrilen nuk i harron, siç shpjegon në një njoftim në faqen zyrtare.

“Gjatë muajve të fundit kemi kaluar momente të vështira edhe në familjen e Atletiko Madrid, duke u goditur nga Covid-19. Na u desh t’u themi lamtumirë ish-lojtarëve dhe ish-trajnerëve që kanë kontribuuar për ta bërë Atletikon të madh gjatë historisë. Por kemi humbur edhe ortakë të klubit. Sapo të jetë e mundur, Atletiko do të bëjë një homazh për ta në shenjë vlerësimi për mbështetjen dhe dashurinë që kanë treguar për ngjyrat tona. Ata do të mbeten gjithmonë në memorien tonë”.

Çfarë do bëjë klubi spanjoll? Për momentin do ta “harrojë” azhurnimin e regjistrit të ortakëve. Çdo qershor klubi fshin nga lista emrat e atyre që nuk janë më dhe zbret numrin e atyre që mbeten. Teserën numër 1 e ka në dorë ortaku që është prej më shumë kohësh pjesë integrale e Atletikos.

Një thesar i vërtet sentimental, që klubi ka dashur ta respektojë në këtë moment të komplikuar. “Duke parë rrethanat e vështira që po kalojmë për shkak të krizës shëndetësore, klubi ka vendosur të mbajë në numrin e të regjistruarve për sezonin 2020/21 të gjithë ata që kanë ndërruar jetë gjatë pandemisë. Një gjest simbolik në kujtim të tyre, duke i falënderuar për mbështetjen. Numri i të regjistruarve me statusin e ortakëve të Atletikos nuk do të rifreskohet, do të mbahen edhe për sezonin tjetër të gjithë tifozët që na kanë lënë.” Një veprim simbolik që për tifozët “Colchoneros” do të thotë shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë