Nga një mbrëmje magjike në stadiumin “Mestalla” të Valencias, në luftë kundër Koronavirusit. Tifozët ultras të Atalantës kanë bërë një gjest të madh, duke i dhuruar spitalit të Bergamos rreth 40 mijë euro. Shuma në fjalë është mbledhur nga rimbursimi i biletave që tifozët e skuadrës së Berat Gjimshitit kishin blerë për ndeshjen e kthimit me Valencian në Champions, ku ata do të mungojnë, sepse do të luhet me dyer të mbyllura.
Tifozët e Atalantës, në situatën që po kalon aktualisht Italia dhe veçanërisht Bergamo, kanë vendosur të bëjnë një gjest të madh solidariteti. Ata do t’i dhurojnë 40 mijë eurot për spitalin e Bergamos për ta përballuar më mirë situatën. Një iniciativë e rëndësishme kjo e tifozëve të Atalantës për të ndihmuar personelin sanitar të impenjuar për kujdesin shëndetësor ndaj të infektuarve nga virusi.
“Sot duhej të përjetonim një nga mbrëmjet më të bukura të historisë sonë, por kjo situatë emergjence e kalon futbollin në plan të dytë, – shkruhet në njoftimin e grupimit “Curva Nord Bergamo”. – Këto javë në qytetin tonë ka disa heronj që po përballojnë këtë moment të vështirë, duke punuar gjithë kohën për shëndetin e ne të gjithëve. Për këtë arsye kemi vendosur të kalojmë në llogarinë e spitalit të Bergamos shumën e biletave për ndeshjen me Valencian, 40.000 euro”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje