Nëse fraksionet brenda Partisë Demokratike do të dalin me një emër konsensual për ta propozuar si kandidat për President, Partia Socialiste do ta marrë në shqyrtim, pavarësisht nëse emri në fjalë ka bekimin edhe të Sali Berishës dhe të mbështetësve të tij brenda grupit të opozitës.
“Nëse Alibeaj me të tjerë, një pjesë e të cilëve kanë ndjekur Berishën, do të vijnë me një kandidaturë që i bashkon ata, është proces i tyre dhe i mirëpres”, deklaroi në një konferencë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri.
Megjithatë, numri dy i socialistë Sali Berishën e përjashtoi nga procesi i negociatave dhe përsëriti se ato do të mbahen vetëm me Alibeajn, si kryetar i grupit parlamentar të PD.
“Unë nuk thashë Berisha, thashë grupimet që janë të përçarë. Nuk thashë do të ulem me Berishën. Berisha për ne nuk ekziston si faktor politik. Ky është qëndrim i PS”, shtoi ai.
Berisha e shkarkoi Alibeajn përmes votimit në Kuvendin e 30 prillit. Por, për socialistët ai është ende në detyrë.
“Në Kuvendin e Shqipërisë ka disa procedura, por për aq kohë sa është kryetar i grupit të asaj force, do të jetë pjesë e tryezës. Ky proces ka filluar. Se çfarë ndodh në PD është problem i brendshëm mes tyre. Le të jetë kandidati për President një figurë që i bashkon ata, nëse i bashkon”, tha Gjiknuri.
Sa u takon emrave që po qarkullojnë mes socialistëve, Damian Gjiknuri tha se të vetmit që përjashtohen janë anëtarët e grupit parlamentar socialist.
“Kemi përjashtuar anëtarët e grupit parlamentar. PS nuk do të tërhiqet nga kërkesa për një profil të një njeriu që nuk ka ato ambicie të shfaqura politike dhe të jetë një njeri që ka integritet. Edhe opozita ka fjalën dhe dëshirën e saj e mund të trysnojë pozitivisht që të shkojmë brenda një liste të shkurtër kandidatësh”, tha Gjiknuri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje