Politike

Zgjedhorja, PS pret PD-LSI deri më 30 qershor, Rama: Më pas e miratojmë vetë

Mazhoranca do të presë edhe këtë javë opozitën në Këshillin Politik dhe më pas do të kalojë për votim në Parlament, pavarësisht nëse ka apo jo dakordësi mes palëve.

“Brenda javës mbaron procesi i diskutimeve mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare për marrëveshjen e Këshillit Politik. Në të gjitha rastet me dakordësi, apo pa dakordësi detajet do i dorëzohen Komisionit të Reformës Zgjedhore, deri me 30 qershor, kur mbaron dhe afati i punës”, deklaroi Rama.

Këtë deklaratë, kreu i Qeverisë e bëri gjatë një takimi të zhvilluar në distancë me Këshillin Koordinues të Diasporës. Rama u premtoi emigrantëve të drejtën për të votuar, por jo në zgjedhjet e radhës. Zotimin se në zgjedhjet pas zgjedhjeve të radhës, emigrantët do të votojnë e dha edhe përfaqësuesi i socialistëve në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.

Gjiknuri propozoi që procesi të zgjerohet gradualisht dhe të drejtohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Por, ministri i Diasporës, Pandeli Majko e kundërshtoi këtë ide. Ai tha se problemi është shumë më i madh për t’ja lënë në dorë KQZ-së këtë proces dhe se nevojiten ndërhyrje ligjore. Megjithatë, Majko u shpreh i kënaqur pasi mazhoranca ka vullnet për t’u ofruar të drejtën e votës emigrantëve.

Në takimin online me Këshillin Koordinues të Diasporës, Rama pranoi se ky është një proces i vonuar, porse ai varet nga shumë faktorë

“…E kam ndjekur gjithë përpjekjen tuaj dhe diskutimet tuaja dhe nga një anë më vjen mirë që kontakti i drejtpërdrejtë me qeverinë nuk ka munguar dhe nga ana tjetër më vjen keq që ju keni vënë në dyshim vullnetin tonë, por kjo është diçka e kapërcyeshme dhe e shpjegueshme”, tha Rama.

Më në detaje foli Damian Gjiknuri. Ai premtoi se infrastruktura është gati dhe se funksionimi i votimit të emigrantëve do të realizohet përmes KQZ-së.

Gjiknuri tha përciptazi se llogaritja e rezultatit për votën e emigrantëve do të bëhet vetëm për Qarkun e Tiranës.

“Votimi i emigrantëve do kryhet vetëm nëpërmjet një regjistri paraprak, ku emigrantët të kenë dhënë adresat e tyre.

Çdo emigrant që është regjistruar në një regjistër, automatikisht do të gjenerohet në listën e zgjedhësve dhe më pas nëpërmjet një akti të KQZ do ketë mundësi që këtë votë nëpërmjet postës ta hedhë. 

E drejta është sanksionuar, duhet që emigranti me banim jashtë vendit duhet të jetë regjistruar në regjistrin e gjendjes civile, infrastruktura është gati dhe elementi që kemi vendosur është që vota do të llogaritet në qarkun e  Tiranës për arsye sepse ashtu funksionon mënyra e regjistrit unik të gjendjes civile. Emigrantët e regjistruar dalin në një listë unike dhe ne menduam që kjo votë të shkojë në qarkun e Tiranës.

Për zgjedhjet e para numri mund të jetë i vogël, por nëse do të mund ta aplikojmë në këto zgjedhje me një numër të vogël do të nxjerrim mësimet tona dhe më pas të shtrihet dhe të hapet diskutimi Kushtetues nëse emigrantët duhet të kenë zonë më vete apo jo. Menduam që meqenëse është listë unike, vota  e tyre të llogaritet në qarkun e Tiranës që ka më shumë mandate”, tha Gjiknuri.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë