Ekipi kosovar i Gjilanit ka bërë një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e parë ndërkombëtare në historinë e tij, duke u kualifikuar për në turin tjetër të Ligës së Europës. Një fitore me përmbysje e skuadra së drejtuar nga trajneri vlonjat, Gentian Mezani, dhe që ka në përbërje shumë futbollistë shqiptarë.
Ndeshja në San Marino ndaj Tre Pene nisi keq për Gjilanin, me një gol të pësuar pas 16 minutash, por më pas situata ndryshoi totalisht dhe kosovarët shënuan 3 herë, duke e merituar kualifikimin plotësisht. Djemtë e trajnerit Mezani dominuan thuajse gjatë gjithë kohës dhe pasi barazuan me Nikaç, ish-sulmuesin e Teutës, shënuan dy gola me Hajdarin dhe Hilën. Për Gjilanin gjithçka u bë më e lehtë pas daljes me karton të kuq të një lojtari të skuadrës kundërshtare.

Përveç Ardit Hilës, ish-lojtarit të Partizanit që shënoi golin e tretë, protagonist në këtë ndeshje ishte edhe Gerhard Progni me dy asiste. Titullarë me skuadrën kosovare janë aktivizuar edhe disa lojtarë të tjerë shqiptarë si portieri Enea Koliçi, mbrojtësit Franc Veliu, Erlis Frashëri dhe Oltion Rapa, si dhe mesfushori Fjoart Jonuzi. Në turin tjetër të Ligës së Europës Gjilani do të ndeshet me ekipin e njohur qipriot, APOEL Nikosia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje