Politike

Gjoba e re 44 mln euro nga Arbitrazhi, faji mbetet jetim

Politika ka nisur ping-pongun se kush e ka fajin për 44 milionë euro gjobë që Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka ndëshkuar qytetarët shqiptarë për mosrespektimin e kontratave me kompaninë greke “Aktor” që ndërtoi rrugën Tiranë-Elbasan.

Partia Demokratike doli të dielën për të akuzuar se gjoba është “peshqesh” i një vendimi korruptiv të Qeverisë për t’i ndërprerë kontratën kompanisë greke dhe për t’u dhënë klientëve të saj vazhdimin e punimeve.

“Kompania greke ishte kontraktuar nga qeveria shqiptare për të bërë punimet shtesë, por Edi Rama në mënyrë që të favorizonte kompaninë e mikut të tij dhe të Taulant Ballës, “Inerte Ekspress” të (Edmond) Begos vuri gjoba, bëri presion dhe tentoi që të largonte kompaninë greke Aktor, e cila pasi mori nënkontraktorët e imponuar nga Qeveria u largua pa marrë asnjë pagesë”, deklaroi ish-deputeti i PD-së, Gent Strazimiri.

Ministria e Infrastrukturës iu përgjigj këtyre akuzave këtë të hënë. Përmes një deklarate publike, kjo ministri e shpërndan fajin tek Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Në deklaratë, Ministria e Infrastrukturës thotë se gjoba është produkt i një kontrate të hartuar shtrembër që në gjenezë nga Qeveria e PD-së.

Më pas, MIE thotë se stafetën e abuzimeve, që siç e cilëson më shumë janë korruptive sesa nga padija e morën drejtuesit e LSI-së në këtë sektor.

“Kontrata për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan është lidhur në vitin 2012, kur në qeveri ishte Partia Demokratike, e cila sot sulmon duke harruar se e nënshkroi këtë kontratë pa studim gjeologjik dhe me dhjetëra ndryshime sipas kërkesave të kontraktorit dhe sigurisht me ndihmën e zyrtarëve të korruptuar, këtë kontrate e ka iniciuar shtrembër që në gjenezë, pikërisht Partia Demokratike. Stafetën më pas e morën ministrat e transportit dhe drejtorët e emëruar nga LSI, për ta bërë përfundimisht këtë kontratë një aferë, në disfavor të pastër për shtetin shqiptar”, vijon deklarata.

Përkundër akuzave të ngritura nga opozita, MIE thotë se ka nisur hetimet në shtator të 2017, pas ndryshimit të drejtimit politik në këtë ministri, kur erdhi Damian Gjiknuri dhe ka bërë publike që në fillim të 2018-ës abuzimet me këtë aks.

Qeveria këmbëngul se ndëshkimi i arbitrazhit mbërrin nga dy faktorë. Së pari, kontrata e lidhur në shkurt të 2012 nga Qeveria e Partisë Demokratike në koalicion me LSI-në për segmentin Tiranë-Tunel dhe së dyti nga kontrata e lidhur po nga PD në të njëjtën periudhë për segmentin Tunel-Elbasan

Kompania greke ka ngritur pretendimet e saj në dhjetor të 2015-ës dhe Ministria e Infrastrukturës akuzon ish-drejtuesit e LSI-së se nuk ndërmorën asnjë vendim për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptar dhe shmangur gjobën e majme të Arbitrazhit.

“Drejtori i Njësisë së Projektit Tiranë – Elbasan (Albens Alite) dhe ARRSH (Dashamir Xhika), në atë kohë e drejtuar nga LSI, nuk ndërmorën asnjë hap për mbrojtjen e interesave të shtetit në këto dy procese dhe nuk përfshinë as Avokaturën e Shtetit, si institucioni i krijuar me ligj për mbrojtjen e interesave të shtetit”, vijon reagimi i Ministrisë së Infrastrukturës.

MIE kujton se pas ndryshimit politik në këtë dikaster në vjeshtën e 2017-ës ngriti padi ndaj ish-drejtuesve të LSI-së, që pasuan arrestimin e disa prej tyre, përfshirë ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika.

Por, LSI e konsideroi këtë deklaratë përpjekje të Belinda Ballukut të urdhëruar nga Edi Rama për të hedhur baltë ndaj kësaj force politike dhe fshehur fajtorët e përgjegjësit e vërtetë të gjobës 44 mln euroshe.

LSI thotë se gjyqi është humbur për shkak se shteti shqiptar ka refuzuar të rimbursojë TVSH-në e shpronësimeve për kompaninë në fjalë. Në deklaratë thuhet se Rama ngarkoi ish-drejtoren e Kabinetit, Eridana Çano, ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe ish-kreun e Këshillit Teknik dhe më vonë i ARRSH-së, Afrim Qëndro që të ndiqnin këtë proces.

LSI shprehet së në mes është përfshirë edhe Taulant Balla dhe ngre disa pyetje.

“…dhe si mund të evitoni Taulant Ballën nga marrja në pyetje, që jo vetëm përdori kunatin dhe motrën për lëvizjen e parave por edhe listën e njerëzve që punësonte në Elbasan. Cila është lidhja e Kristlen Kerrit me Taulantin?”, thuhet në deklaratë.

LSI kërkon nga Prokurorira që të zbulojë se përse janë fshirë komunikimet me e-mail mes Eridana Çanos dhe drejtuesve të njësisë së menaxhimit të projektit, Aksel Gjurduka dhe Albens Alite dhe thotë se ankesa e “Aktor” ka mbërritur në ARRSH pas dorëheqjes së Dashamir Xhikës, ndërsa deklaratën e Belinda Ballukut e quan “inatçore ndaj Damian Gjiknurit”.

Në fund, LSI publikon edhe disa dokumenta, që sipas saj janë letra zyrtare mbi problematikën që ish-ministri Edmond Haxhinasto i ka drejtuar Kryeministrit Edi Rama që në mars të 2016-ës.

Akuzave të Ministrisë së Infrastrukturës iu përgjigj edhe Partia Demokratike. Përmes një deklarate, Selia Blu thotë se autostrada Tirana-Elbasan është një nga modelet që tregon sesi veprat e mëdha publike janbë përdorur nga Edi Rama për të mbushur xhepat e klientëve të tij.

“Trafikanti i drogës Edmond Bego është prova më e qartë dhe e pakundërshtueshme se ai hyri si nënkontaktor pas vitit 2015 dhe u pagua 10 milionë euro për punimet në autostradë vetëm pasi lidhi miqësi me Taulant Ballën”, deklaroi ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi.

Vokshi bëri publike gjithashtu edhe faturat e pagesave, siç tha “për mikun trafikant të numrit 2 të Partisë Socialiste, përmes kompanisë “Inerte Express”.“Janë 10 milionë euro të paguara kundër ligjit si nënkontraktor për punimet në autostradën Tiranë – Elbasan, që kur Edmond Bego u bë mik familjar me Taulant Ballën”, u shpreh ish-deputetja demokrate.

PD thotë se nga lista e pagesave mësohet se punimet e kompanisë së Edmond Begos janë bërë nga 2015 deri në 2018 në kundërshtim me ligjin dhe kërkoi hetim nga SPAK.

“Trafikanti i drogës Edmond Bego e ka të ndaluar nga ligji i prokurimeve publike që të marrë pjesë në tendera. Sipas ligjit asnjë i dënuar për trafik droge nuk mund të përfitojë para publike. Por, kur një trafikant është mik i Taulant Ballës, ligji shkelet me të dyja këmbët nga Qeveria e Edi Ramës, duke i bërë dhuratë atij 10 milionë euro”, vijoi Vokshi.

Opozita është e bindur se pas kësaj afere qëndron vetë Edi Rama dhe Taulant Balla.

“Miku i gjithëpushtetshëm i Mond Begos, Taulant Balla, di shumë gjëra që SPAK-ut i interesojnë. U interesojnë edhe shqiptarëve, të cilët sot duhet të fillojnë e të paguajnë një më një 44 milion eurot, si dënim nga Arbitrazhi Ndërkombëtar për sjelljen korruptive të qeverisë me autostradën Tiranë-Elbasan. Përgjegjës për këtë gjobë tjetër të madhe, që do ta paguajnë shqiptarët me taksat e tyre, është Edi Rama dhe Taulant Balla”, u shpreh Vokshi.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, (IÇ) i dha të drejtë kompanisë greke “Aktor” në vendimin e marrë më 1 shtator 2020. Në vendimin prej 114 faqe të gjyqit, Arbitrazhi ka gjetur fajtore Qeverinë shqiptare për largimin e kompanisë greke pas rishikimit të projektit për pjesën e shembjes në Ibë.

Kompania pretendon se pas largimit ka pasur borxhe të pashlyera me nënkontraktorët dhe për këtë arsye paditi qeverinë shqiptare, duke kërkuar dëmshpërblim. “Aktor” përfundoi tunelin e Kërrabës, që kushtoi 8.3 miliardë lekë, por për dy lotet e tjera u fut në garë së bashku me kompaninë kuvajtiane “COPRI”.

“Aktor” pretendoi në gjykatë se për autostradën Tiranë-Elbasan ka bërë punime shtesë që ia kërkoi qeveria shqiptare, por që nuk u paguan kurrë, duke e lenë kompaninë me borxhe me nënkontraktorët, por edhe një bilanc tejet negativ. Ajo pretendon gjithashtu se është larguar nga Qeveria shqiptare në momentin që kishte nisur punimet shtesë dhe ishte në fazë të avancuar të tyre. Në këtë moment, opozita akuzon se largimi është bërë për t’i dhënë kompanisë së Edmond Begos 10 mln euro për përfundimin e punimeve.

Rruga e re Tiranë -Elbasan, me gjatësi 27 kilometra nisi të ndërtohej në vitin 2011 me një kosto prej 260 milionë euro. Afati për përfundimin total të punimeve ishte viti 2015, por një shembje që ndodhi në Ibë, kërkoi rishikim të projektit dhe fonde shtesë. Pas dy vitesh negociata, qeveria shqiptare u detyrua të marrë edhe dy kredi të tjera shtesë për përfundimin e rrugës me vlerë 51 milionë euro, duke e çuar koston në totale të ndërtimit të saj në mbi 310 milionë euro, që nëse i shtohet edhe gjoba e arbitrazhit, shkon në mbi 355 mln euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë