Politike

Gjonaj: Meta hall me drejtësinë. Presidenca: Pranove fajin

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj doli në një konferencë për shtyp për të thënë se të gjitha akuzat e Presidentit Ilir Meta kundër saj janë lajthitje që Meta po i përdor për spektakël politik.

Ajo tha se qëllimi i vërtetë i akuzave është përpjekja për të ndalur reformën në drejtësi dhe sa i takon botimit në Fletoren Zyrtare ditën e shtunë të emërimit të Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, ministrja deklaroi se kjo nuk mund të përbëjë provë se jemi përballë një grushti kushtetues.

Gjonaj thotë se deformimet juridike nuk janë kryer as nga Ministria e Drejtësisë dhe as nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, por nga Presidenca, duke e akuzuar Metën se pezulloi afatin 30-ditor për të zgjedhur një antëre jashtë ligjit.

“Deformimet e rënda faktike, juridike dhe logjike të këtij shoë politik presidencial mbi gjoja rrëmbimin e kompetenca vetë Presidentit janë mbresëlënëse për këdo që i di faktet. Për shembull, kujt dhe për çfarë i drejtohet në thirrjen e tij të dëshpëruar zoti President mbi zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kur sot gjyqtarja e zgjedhur prej tij me një procedurë në kundërshtim me Kushtetutën dhe të paligjshme ushtron funksionin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese?”, shprehet Gjonaj.

Ministrja thotë se botimi në Fletoren Zyrtare nuk i jep fuqinë juridike vendimeve të KED-së, por bëhet vetëm për transparencë.

“Nëpërmjet botimit në fletoren zyrtare bëhet i njohur botërisht anëtari i emëruar në Gjykatën Kushtetuese ex lege. Pasojat që sjell botimi në fletore zyrtare është vetëm njohja e publikut me vendimin dhe fuqinë juridike të një akti të prodhuar nga vetë ligji”, deklaroi ministrja.

Presidenca reagoi me anë të zëdhënësit Tedi Blushi.

“Shoqja Etilda me deklaratën e saj sot nuk u dha asnjë shpjegim shkeljeve të ligjit që ka konsumuar, por përballë fakteve të pakundërshtueshme, vijoi avazin: retorikë me veten. Me daljen e sotme, shoqja Etilda, ka pranuar tërësisht fajësinë për të gjitha veprat penale për të cilat ajo është akuzuar. Shoqja Etilda nuk mundi të arsyetonte dot, se cila qe baza ligjore që e autorizon apo i jep të drejtë Ministrisë së Drejtësisë të kërkojë apo të urdhërojë botimin në Fletoren Zyrtare të një akti që nuk ishte nxjerrë prej institucionit të saj! Shoqja Etilda, nuk i dha përgjigje pyetjes, cila është ajo dispozitë e Kushtetutës dhe e Ligjit që lejon botimin në Fletoren Zyrtare të akteve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, deklaroi Blushi.

Presidenca thotë se Ministria e Drejtësisë ka shkelur Kushtetutën duke botuar një vendim të KED-së në Fletoren Zyrtare. Sipas Presidencës, vendimet e KED-së publikohen vetëm në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë në seksionin e ndarë për KED-në.

Shoqja Etilda, para se të përmendë në mekje e sipër nenet 3 dhe 4 të ligjit nr. 78/2014 “Për Qendrën e Botimeve Zyrtare”, bën mirë t`i lexojë më parë vetë. (Lexoji mirë nenet e mëposhtme)

“Pra shoqja Etilda, vërtet ka dashur të bëjë publik sipas porosisë së shefit së saj, një akt të KED-së në Fletoren Zyrtare, po ka harruar të lexojë të gjithë ligjin, ku sanksionohen se në Fletoren Zyrtare botohen vetëm ato akte që përcakton Kushtetuta dhe ligji. Ky vendim i KED-së, edhe pse shoqja Etilda ka dëshirë ti bëjë reklamë, nuk lejohet të botohet në Fletore Zyrtare. Shoqes Etilda, bashkë me deklaratën që i dhanë të lexonte, duhet ti kishin dhënë edhe nenin 232, të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që përcakton se ku botohen aktet e KED për renditjen e kandidatëve”, thotë Blushi.

Në përplasjen mes Presidencës dhe Ministrisë së Drejtësisë është përfshirë edhe Partia Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm demokrat, Gazment Bardhi i këshillon ministres Gjonaj që të gjejë një avokat.

“Sikur Edi Rama vetë të drejtojë personalisht mbledhjet e SPAK-ut, ajo është e pambrojtshme. Ministrja e Drejtësisë ka shkelur Kushtetutën, ka shpërdoruar detyrën dhe ka marrë pjesë në një akt mafioz për asgjesimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratën e Bardhit.

PD thotë se provat e Presidencës janë të qarta dhe të pakundërshtueshme.

“Etilda Gjonaj duhet të japë llogari para drejtësisë! Është një test i rëndësishëm për SPAK-un, i cili do të tregojë, nëse reforma në drejtësi ka dështuar me gjithçka apo jo”, mbyll reagimin e tij sekretari i përgjithshëm demokrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë