Politike

Gjoni: Treg i zi vaksinash anti-Covid. Ç’na duhen vaksinat ruse e kineze?!

Deputeti Ralf Gjoni hedh dyshimet se Shqipëria është bërë pjesë e një tregu të zi ndërkombëtar të vaksinave anti-Covid të prodhuara nga Rusia dhe Kina.

Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të kësaj të marte, Gjoni ngriti dyshimin se qeveria shqiptare ka marrë dhe administruar një dozë vaksinash nga një vend i lindjes, por që nuk i ka deklaruar ato.

“Një vend tjetër i lindjes ka sjellë vaksina prej javësh në Shqipëri dhe këto vaksina janë marrë dhe janë administruar. Ka thashetheme edhe në vende të Europës për tregun e zi të vaksinave ku hyjnë vaksinat e lindjes”, deklaroi Gjoni.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se qëndrimi i Shqipërisë për të mos marrë vaksina ruse dhe kineze nuk lidhet me gjeopolitikën, por me çështje të autorizimit të këtyre vaksinave nga Agjencia Europiane e Barnave. Megjithatë, Gjoni thotë se vaksina janë një luftë gjeopolitike.

“Ç’ju duhet Sputnik dhe Sinopharm?! Ç’ju duhet Rusia dhe Kina ndërkohë që ne jemi me drejtim nga perëndimi?! Kjo është luftë gjeopolitike!”, tha ai.

Deputeti akuzoi Qeverinë se me aktet e njëpasnjëshme të dorëzuara për miratim në Kuvend synon shmangien e përgjegjësisë ligjore ndaj pasojave të mundshme që mund të kenë vaksinat ruse e kineze në shëndetin e qytetarëve shqiptarë.

“Ogerta Manastirliu dhe Arben Ahmetaj nuk kanë nevojë për autorizim nga Parlamenti. Sillni si koncesionet dhe aktet normative në Kuvend për të shmangur përgjegjësinë juridike, sepse nuk jeni të sigurt për pasojat e vaksinave ruse dhe kineze në shëndetin e qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Në Shqipëri mbërritën të hënën 10 mijë dozat e para të vaksinës ruse Sputnik. Qeveria thotë se janë dhuratë nga një princ i Emirateve të Bashkuara Arabe, por Ralf Gjoni nuk mendon kështu.

“Tani u mor vesh që darka e Dubait paska qenë negociatë me rusët me ndërmjetësimin e emirëve të Dubait. Ky akt nuk e ka vendin në Parlament? Pse nuk na sollët edhe udhëtimin e Ahmetajt në Dubai, të miratonim edhe faturën e hotelit?!”, tha Gjoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë