Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Mons. George Frendo, thotë se ka mbetur i zhgënjyer e i trishtuar duke dëgjuar fjalë krejt të papërshtatshme në Kuvendin e të martës ku disa deputetë i drejtuan njëri tjetrit.
“Të nderuar deputetë, ju që përfaqësoni popullin tonë, ju që populli ju ka zgjedhur për t’i përfaqësuar në institucionin më të lartë të vendit, ju lutem që në atë institucion të përdorni një fjalor që i përshtatet dinjitetit tuaj si përfaqësuesit e popullit tonë.
Populli ynë ka të drejtë të presë prej jush një mënyrë më të sjellshme dhe më dinjitoze kur flisni në Kuvend dhe kur i drejtoheni njëri – tjetrit. Ndjej të njëjtën keqardhje me Kryetaren e Kuvendit kur gjendet në situata të tilla. Ajo vetë tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve: “Mos vijoni me fyerje në sallë”, “Ju lutem kursejini këto komente”.
Gjithë populli mund t’ju ndjekë në televizor. Populli ka të drejtë të dijë çfarë diskutohet dhe çfarë bëhet në institucionin më të lartë të vendit dhe të dijë çfarë thonë dhe çfarë bëjnë të nderuarit deputetë, që ata vetë i kanë votuar për t’i përfaqësuar në Kuvend. Por kjo kërkon shumë kujdes nga ana e deputetëve, sepse ka mundësi që njëri të kërkojë të bëjë “show” në Parlament, e të përdorë një fjalor që përul një deputet nga ana tjetër e Kuvendit, ose të vendosë të mirën e partisë para të mirës së përbashkët”, thotë ai.
Mons. George Frendo e merr parasysh edhe faktin se dikush mund ta akuzojë që po ndërhyn në politikë përmes mesazhit të përçuar.
“Nuk vras mendjen nëse më bëjnë akuza të tilla, por unë e ndiej për detyrë të flas për të mirën e popullit, për një shoqëri më të drejtë dhe më të denjë për popullin tonë, që për shumë kohë, në të kaluarën, ka qenë manipuluar nga politika. Populli ka të drejtë jo vetëm të informohet nga mjetet e komunikimit, por edhe të formohet që të rritet drejt një shoqërie më të denjë. Pra ju lutem, përdorni një fjalor më të denjë!”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje