Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesën e koalicionit ABEOK, ku bën pjesë Kujtim Gjuzi, Selami Jenishehri, Kostaq Papa dhe Zef Shtjefni, përmes të cilës kërkohej financimi i fushatës zgjedhore për garën e 25 prillit me arsyetimin se ky koalicion përfaqësohej në Kuvend me katër deputetë.
KAS e cilësoi të pabazuar kërkesën dhe la në fuqi vendimin e shpallur nga Komisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi.
Katër deputetët e bashkuar nën një sigël ankimuan më 25 mars në Komisionin e Ankesave dhe të Sanksioneve vendimin e Komisionerit Ilirjan Celibashi për ndarjen e fondeve për partitë politike, vendim që i lë jashtë këtij fondi.
Gjuzi dhe grupi i tij pretendojnë se Celibashi ka shkelur ligjin për partitë politike dhe saktësisht nenin 19 të tij, ku përcaktohet mënyra e ndarjes së fondeve. Ky nen thotë se 70 për qind e fondit elektoral u ndahet partive politike sipas numrit të deputetëve që kanë fituar në zgjedhjet e fundit, 20 për qind në mënyrë të barabartë për të gjitha partitë që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit dhe 10 për qind sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi.
“Theksojmë se në rastin konkret ne kemi 4 deputetë me mandat që është koalicioni ABEOK”, thuhet në ankimimin e dorëzuar në KAS nga ky koalicion.
Megjithatë, në ndarjen e fondeve Komisioneri Celibashi ka marrë parasysh përcaktimin e ligjit që kushtëzon numrin e deputetëve të marrë në zgjedhjet e fundit. As Partia Konservatore e Kujtim Gjuzit dhe as partitë e tjera që kanë firmosur këtë ankesë nuk kanë marrë vetë mandate në zgjedhjet e 2017-ës.
Kostaq Papa dhe Selami Jenishehri ishin kandidatë në listat e Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Zef Shtjefni ishte i fundit po për PD në Shkodër dhe po i fundit dhe po për PD ishte Kujtim Gjuzi për Durrësin. Të katër ata hynë në Parlament pranverën e 2019-ës pas djegies së mandateve, duke u bërë pjesë e asaj që u quajt më vonë si “opozita parlamentare”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje