Gazeta Si – Fluturimi “MH17” u rrëzua nga një raketë e tipit “Buk” e gjuajtur nga Pervomaisk, një vendndodhje në distriktin Lugansk, në kohën e rrëzimit nën kontrollin e militantëve separatistë pro-rusë.
Kjo është pjesa e parë e vendimit përfundimtar, të lëshuar nga gjykata holandeze e sigurisë maksimale e ngritur pranë aeroportit Schiphol të Amsterdamit, për rrëzimin e aeroplanit malajzian që ndodhi më 14 korrik 2014.
“Fragmente të raketës ‘Buk’ u gjetën në trupat e viktimave, të cilat janë prova të pakundërshtueshme se ishte pikërisht kjo raketë që shkaktoi rrëzimin e fluturimit”, shpjegoi gjykata.
Rrëzimi i aeroplanit shkaktoi vdekjen e të gjithë 298 personave në bord, përfshirë pasagjerët dhe ekuipazhin.
Prokurorët holandezë thonë se lëshuesi i raketave erdhi nga Brigada e 53-të e Raketave Kundër-Ajrore, një njësi e forcave të armatosura ruse me bazë në qytetin rus të Kurskut.
Të pandehurit nuk akuzohen se kanë lëshuar raketën, por se kanë bashkëpunuar për ta sjellë atë në fushën ku është lëshuar: ata akuzohen se kanë rrëzuar avionin dhe për vrasjen e të gjithë njerëzve në bord.
Janë katër të pandehur në gjyqin, i cili filloi në mars 2020, por asnjë nuk u paraqit në sallën e gjyqit.
I pandehuri më i vjetër është Igor Girkin, një ish-kolonel 51-vjeçar i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB).
Në kohën e rrëzimit, ai ishte ministër i Mbrojtjes dhe komandant i forcave të armatosura të Republikës së vetëshpallur Popullore të Donjeckut.
Girkin thuhet se është aktualisht i përfshirë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Gjithashtu në gjyq janë vartësit e Girkinit, Sergey Dubinskiy, Oleg Pulatov dhe Leonid Kharchenko, një ukrainas për të cilin prokurorët thanë se ishte komandant i një njësie luftarake rebele pro-ruse dhe merrte urdhra direkt nga Dubinskiy.
Pulatov është i vetmi nga të dyshuarit që përfaqësohet nga avokatët mbrojtës në gjyq: avokatët akuzuan prokurorët se “kishin blinda”, duke e bazuar rastin e tyre në rezultatet e një hetimi ndërkombëtar për të shtënat dhe duke injoruar shkaqe të tjera të mundshme.
Ekipi mbrojtës i Pulatovit, gjithashtu kërkoi të diskreditonte provat dhe argumentoi se ai nuk pati një gjykim të drejtë.
Në një video-incizim të shfaqur në gjykatë, Pulatov këmbënguli për pafajësinë e tij dhe u tha gjyqtarëve: “Ajo që ka rëndësi për mua është që e vërteta të zbulohet. Për mua është e rëndësishme që vendi im të mos fajësohet për këtë tragjedi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje