Politike

Gjykata Kushtetuese, ç’do të bëjë Meta dhe a ka një pakt për Ardian Dvoranin?

Presidenti Ilir Meta, i ka dhënë një përgjigje indirekte Ardian Dvoranit lidhur me shqetësimin e  këtij të fundit për vonesat nga KED për Gjykatën Kushtetuese.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, sqaroi hapat që do të ndjekë Meta në këtë drejtim.

Meta e ka shtyrë proçesin e diskutimit për javës tjetër me argumentin se kësaj jave palët duhet të njihen ende me Opinionin e Venecias.    

“…Në fillim të javës së ardhshme, Presidenti Meta do të ftojë për takim zyrtar Kryetarin e Kuvendit për të diskutuar dhe koordinuar bashkëpunimin me të gjitha institucionet përgjegjëse, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, aq më tepër që funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese është kusht kryesor edhe për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”, shkruan Tedi Blushi.

Zëdhënësi i Presidentit shkruan se, “nëse iniciativa e Presidentit Meta në nëntor 2017 për një koordinim të përbashkët midis Presidentit, Kuvendit dhe EURALIUS për hedhjen e shortit dhe funksionimin e KED në mënyrë të pakontestueshme nga askush nuk do të ishte minuar, Shqipëria nuk do të kishte mbetur asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, opozita nuk do të kishte asnjë justifikim për t’u larguar nga Kuvendi, pushteti vendor do ishte gjithëpërshirës e legjitim, si dhe negociatat do të ishin hapur prej kohësh”.

“Por, tani është me e rëndësishme të përqendrohemi te përmbushja e rekomandimeve të Komisionit të Venecias për të ecur përpara përmes bashkëpunimit, transparencës dhe respektimit të Kushtetutës”, shkruan ai.

Presidenti Ilir Meta rifillon procesin në fillim të javës tjetër ndërkohë që paralelisht vijon një tjetër debat lidhur me të ardhmen e Ardian Dvoranit në gjyqësor.

Në bazë të ligjit, Dvorani gëzon një vend të sigurt në gjykatën e Apelit, por në të njëjtën kohë ai është diskutuar jo pak edhe për një pozicion në Gjykatën Kushtetuese.

Për tu futur në këto ulli, Dvoranit i duhet  që të mbyllë njëherë e mirë kapitullin me KED,  marrëdhënie e cila është ende pezull.

Të martën, Ardian Dvorani përmes një letre publike, pranoi largimin nga KED, por sqaroi gjithashtu se i gjithë procesi në raport me të kishte mbetur pezull, si rezultat i mos zbardhjes së vendimit ndaj tij nga KLGJ.

Dvorani vuri në dukje se vendimi i KLGJ-së i marrë në datë 11 Qershor ende nuk është zbardhur dhe se e vetmja gjë e bërë publike është se KLGJ ka vendosur që atij i “ka mbaruar detyrimi të ushtrojë detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë”.

“Kjo lloj vendimmarrje, e cila në vlerësimin tim është haptazi e paligjshme, pavarësisht vlerësimeve që po bëj për mundësinë e ndjekjes së kundërshtimit sipas ligjit, sjell si efekt, jo vetëm pengesën që të ushtroj funksionet e gjyqtarit dhe zëvendëskryetarit të Gjykatës së Lartë, por njëkohësisht, së paku, edhe mosqenien time në funksionin e Kryetarit të KED.

Në fakt, sipas ligjit, efekte të plota formale të këtij “vendimi” të KLGJ vijnë vetëm me njoftimin që duhet të më bëhet për vendimin e arsyetuar të KLGJ. Për të mos e shtuar më tej antikushtetueshmërinë ekzistuese të procedurës së ndjekur deri më tani dhe të vendimmarrjes, ky “vendim” i KLGJ-së duhet të jetë i arsyetuar sepse ndryshon në thelb statusin e një gjyqtari duke më ndaluar të vijoj ushtrimin e detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë”, thuhej në letrën e tij

Ndryshe nga pritshmëritë, Dvorani nënvizonte se ka kaluar më shumë se 10 ditë, dhe ende nga KLGJ nuk ka një vendim të arsyetuar ndaj tij.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese është me 4 anëtarë dhe dy kandidatura të tjera janë në proces.

A do të jetë edhe Dvorani një ndër emrat për gjyqtar i ardhshëm i Kushtetueses?

Kjo është pyetja që shoqëron atë që po përflitet si pakti i ri Rama-Meta; largimin e Dvoranit nga KED dhe miratimin e kandidatit të Presidentit për KLSH-në. Nëse Dvorani do të heq dorë nga ankimimi i vendimit të KLGJ-së për largimin e tij nga Gjykata e Lartë dhe automatikisht nga KED, atëherë lihet një derë e hapur për katapultimin e tij në Kushtetuese.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë