Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Qeverisë që shkarkoi me shpejtësi dy ditë para zgjedhjeve të qershorit 2019 kreun e Bashkisë së Vaut të Dejës në atë kohë, Zef Hila.
Gjykata Kushtetuese thotë se Zef Hilës i është mohuar e drejta për t’u dëgjuar.
“Gjykata ka pohuar se e drejta për t’u dëgjuar, si pjesë e së drejtës së mbrojtjes, garantohet edhe në procesin administrativ përpara çdo organi, pavarësisht nga instanca dhe rëndësia e tij. Kjo realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së vetë individit në proces dhe nëpërmjet parashtrimit të argumenteve prej tij ose avokatit të zgjedhur”, thuhet në vendimin e zbardhur.
Por, ndërsa shumica ka qenë dakord për të rrëzuar VKM-në e Qeverisë, si rrallëherë vendimi i Kushtetueses ka përçarë anëtarët e kësaj trupe me dy mendime pakice.
Në mendimin e parë të pakicës, anëtarët Altin Binaj dhe Elsa Toska dalin kundër arsyetimit të shumicës për shkelje të standardit të arsyetimit nga ana e Këshillit të Ministrave, ndërsa në mendimin e dytë të pakicës, Altin Binaj dhe Fiona Papajorgji thonë Kodi i Procedurës Administrative përcakton se jo gjithmonë palët mund të dëgjohen.
Zef Hila u shkarkua me urgjencë nga Qeveria më 28 qershor të 2019-s, dy ditë para zgjedhjeve vendore. Shkarkimi i tij pasoi trazirat e 27 qershorit në KZAZ-në e Vaut të Dejës, ku një grup personash dogjën materialet zgjedhore. Sipas policisë në atë kohë, një pjesë e personave që morën pjesë në djegien e këtyre materialeve ishin punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës të drejtuar nga Zef Hila.
Hila u zgjodh deputet në zgjedhjet e 25 prillit si i renditur i pesti në listat e Partisë Demokratike për Qarkun e Shkodrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje