Gjykata ka rrëzuar kërkesën e paraqitur nga Gazment Bardhi në emër të grupimit “Alibeaj” për përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja. Në vendimin e saj më të fundit, gjykata e cilëson si të pabazuar kërkesën e paraqitur, duke vendosur dhe një gjobë për Partinë Demokratike.
Pas paraqitjes së kërkesës, në seancë gjyqësore, gjyqtarja Irida Kacerja deklaroi se nuk kishte asnjë shkak, për të cilin duhej të jepte dorëheqjen nga gjykimi dhe se kërkesa lidhur me autorizimin bazohej në një vendim të trupës gjyqësore dhe jo vetëm të saj, në cilësinë e relatores dhe drejtueses së seancës. Në po të njëjtën seancë, trupi gjykues vendosi të ndërpresë gjykimin, me qëllim shqyrtimin e kërkesës për përjashtim. Por në vendimin e marrë nga gjyqtarja Edlira Petri rrëzohen të gjitha pretendimet për njëanshmëri.
“Gjykata vlerëson se kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja nuk ka asnjë bazë, që të pranohet dhe se ndryshe nga pretendimi, nuk verifikohet asnjë arsye që objektivisht e bën atë të duket jo e paanshme në raport me subjektin ankues. Referuar këtij përfundimi, sjelljes së kërkuesit në proces dhe bazuar në nenin 76, paragrafi i dytë të Kodit të Procedurës Civile, duhet aplikuar sanksioni ligjor i gjobës në shumën 10,000 lekë”, thuhet në vendimin e gjykatës së Apelit Tiranë. Ndërkohë që seanca për dy statutet e PD-së pritet merret me datën 17 janar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje