Gjykata e Posaçme e Apelit do të zhvillojë seancën e radhës më 9 prill ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që akuzohet për shpërdorim detyre, pa praninë e publikut dhe të mediave.
Seanca është vendosur të mbahet paradite dhe për shkak të parashikimeve të vendosura në aktin normativ të Qeverisë për masat kundër përhapjes së koronavirusit, në seancë do të marrin pjesë vetëm palët në proces.
Pas gjykimit të shkurtur në ish-Gjykatën për Krimet e Rënda, që në kuadër të reformës në drejtësi u shndërrua në shkallën e parë të Gjykatës së Posaçme, Saimir Tahiri u dënua me 3.4 vite shërbim prove vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Tre akuzat e tjera më të rënda të ngritura, si ajo e trafikut të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe organizim e pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal u rrëzuan.
Vendimi la të pakënaqur si prokurorinë, ashtu edhe vetë Saimir Tahirin. Prokuroria këmbëngulte se kishte paraqitur provat e nevojshme që ish-ministri i Brendshëm të gjykohej edhe për këto akuza më të rënda, ndërsa vetë Tahiri këmbëngulte tek pafajësia. Të dyja palët e apeluan vendimin tek ish-Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Kjo e fundit u shndërrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në kuadër të reformës zgjedhore.
Saimir Tahiri akuzohet nga prokuroria se duke shfrytëzuar pozicionin si ministër i Brendshëm ka marrë favorizuar trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë nga vëllezërit Florian dhe Moisi Habilaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje