Futboll

Goditja e janarit, Milani bën “pazar” tek Arsenali

Milani po bën gati goditjen e madhe për merkaton e janarit. Klubi kuqezi është pranë sulmuesit Nikolas Pepe të Arsenalit. Sipas bastexhinjve anglezë, transferimi ka gjasa të mëdha të bëhet në merkaton e dimrit. Lojtari nga Bregu i Fildishtë, i datëlindjes 1995, po luan pak me Arsenalin dhe dëshiron të ndryshojë ambient sa më shpejt.

Pepe u ble për 80 milionë euro nga Lila në verën e 2019-ës, por tek Arsenali nuk po shkëlqen këtë sezon edhe për faktin se trajneri Arteta nuk po i jep minuta. Sulmuesi ka luajtur vetëm 649 minuta në 12 ndeshjes mes Premier Ligës, Ligës së Europës dhe Kupës së Ligës. Ka luajtur mesatarisht 54 minuta për ndeshje dhe ka shënuar 3 gola.

Nikolas Pepe, sulmuesi i Arsenalit. Gazeta Si, 16 nëntor 2020

“Një lojtar që luan, është i lumtur, – ka thënë Pepe për “Canal Plus” në Francë. – Arteta do që unë të jem i përqendruar 100% gjatë 90 minutave, por gjatë javës në stërvitje kuptoj që do të jem në stol. Trajneri më flet, ashtu si dhe asistentët e tij, por për një futbollist është stresuese të qëndrojë gjithmonë rezervë”.

“BetFair” në Angli e çon futbollistin te Milani në janar, kur mund të bashkohet me patriotin e tij Frenk Kesi. Lajmi bëhet i ditur nga “Sun”, që zbulon gjithashtu se operacioni mund t’i kushtojë klubit kuqezi rreth 40 milionë euro. Pepe ka një rrogë prej 10 milionë eurosh në vit, kështu që Milani duhet të shesë për të siguruar fondin për këtë lojtar. I pari në listë është Samu Kastilejo, i cili pritet të kthehet në Spanjë.

Milani është interesuar edhe pak vite më parë për Pepe, që me Arsenalin ka një kontratë deri më 30 qershor 2024. Po sipas bastexhinjve anglezë, për sulmuesin janë të hapura edhe disa pista të tjera, edhe pse në plan të dytë. Bëhet fjalë për PSG-në, Romën, Evertonin dhe Lacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë