Bota

Goditja e parë ndaj talibanëve, SHBA bllokon miliarda dollarë të bankës qendrore afgane

Në fjalimin e parë të mbajtur pas marrjes së Kabulit nga talibanët, Presidenti i SHBA, Joe Biden pasi mbrojti vendimin e tërheqjes së trupave prej andej tha se lufta ndaj talibanëve do të vazhdojë me rrugë të tjera, duke përmendur këtu diplomacinë dhe influencën ndërkombëtare amerikane.

E goditja e parë që SHBA i japin regjimit të ri të vendosur në Kabul është financiare. Administrata Biden ngriu që të dielën të gjitha rezervat e shtetit Afgan në bankat amerikane, duke u hequr talibanëve qasjen në miliarda dollarë që ruhen në institucionet amerikane.

Duke cituar dy burime nga Shtëpia e Bardhë, Washington Post thotë se vendimi është marrë nga Sekretarja e Thesarit, Janet L.Yellen pas konsultimeve me Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë.

“Çdo aset i qeverisë dhe bankës qendrore afgane në SHBA nuk do të jetë në dispozicion të afganëve”, citon Washington Post një zyrtar të Shtëpisë Bardhë në kushte anonimati.

Sipas medias amerikane ky është hapi i parë i një serie vendimesh që pritet të pasojnë në vijim nga administrata Biden për të goditur ekonomikisht dhe financiarisht talibanët, ndërkohë që pasojat e këtyre vendimeve pritet që të ndjehen fort te qytetarët e thjeshtë në Afganistan, një prej vendeve më të varfra në botë.

Ekspertët thonë se administrata Biden do të vendoset shpejt përballë vendimeve më të vështira për menaxhimin e sanksioneve ndaj talibanëve, por pa bllokuar ndihmat humanitare për popullsinë e varfër të vendit, çka do të nxiste rritjen edhe më tej të kultivimit të opiumit, që aktualisht shkon në mbi 220 mijë hektarë në vit.

I pyetur të martën se cilat do të jenë hapat që do të ndjekë Shtëpia e Bardhë për t’iu përgjigjur talibanëve, zëdhënësi Jake Sullivan tha se “ka çështje që lidhen me sanksionet”, por refuzoi ta shtjellojë më tej këtë temë. Ai tha gjithashtu se si fillim administrata amerikane do të komunikojë drejtpërdrejtë me talibanët.

Në fjalimin e së hënës, Presidenti Biden tha se SHBA do të vazhdojë të ndihmojë Afganistanin. “Do të vazhdojmë të ndihmojmë popullin afgan. Do të udhëheqim me diplomaci dhe me ndikimin tonë ndërkombëtar dhe ndihma humanitare”, u shpreh ai.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar banka qendrore afgane zotëronte 9.4 miliardë dollarë rezerva në muajin prill. Kjo shifër është pothuajse sa një e treta e prodhimit vjetor të përgjithshëm bruto të Afganistanit.

Pjesa më e madhe këtyre fondeve janë të depozituara jashtë Afganistanit, ku miliarda dollarë ruhen në bankat dhe institucionet e tjera financicare amerikane, megjithëse shuma e saktë mbetet e paqartë.

Për bllokimin e këtyre aseteve SHBA nuk pati nevojë përë një urdhër të ri, sepse talibanët janë nën regjim sanksionesh të vendosur nga Presidenti George Ë. Bush pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Përveç bllokimit të parave, ekonomia afgane pritet që të goditet fort edhe nga mungesa e financimit vjetor prej rreth 3 miliardë dollarësh, që SHBA ka dhënë ndër vite si mbështetje për ushtrinë afgane, por me kushtin që vendi të drejtohet nga një qeveri demokratike që respekton të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë