Futboll

Goditje arbitri dhe mashtrim në protokoll, skandal i dyfishtë në futbollin shqiptar

Në futbollin shqiptar është rishfaqur dhuna, këtë herë në një version edhe më të rëndë, një skandal të dyfishtë. Gjatë ndeshjes së kategorisë së dytë mes Sopotit dhe Mirditës, që luhej në stadiunin e Cërrikut, një nga lojtarët mirditorë ka goditur keq arbitrin Klajdi Qëndraj. Në këtë moment ndeshja është ndërprerë.

Policia është futur në dhomat e zhveshjes për të arrestuar lojtarin agresor, por ai ka dalë nga dritarja e tualetit dhe është larguar nga ambientet e stadiumit. Një ngjarje vërtet e rëndë, ndërkohë që më pas është zbuluar se lojtari që shkaktoi dhunën ishte futur në ndeshje me një emër tjetër, pasi pak kohë më parë është dënuar me një vit nga Komisioni i Disiplinës në FSHF, çka përbën një skandal më vete.

Policia në stadiumin e Cërrikut. Gazeta Si, 5 maj 2021

Konkretisht, arbitri Qendraj është goditur nga Armando Marku, i cili në protokollin e ndeshje ishte regjistruar me Ylli Gjegja. Përveç dhunës së ushtruar nga lojtari në fjalë, për të cilin tashmë ka edhe një denoncim nga arbitri, në këtë rast një peshë të madhe të fajit ka klubi i Mirditës, që do të dënohet për mashtrim në protokoll. Nga ana tjetër, kjo ngjarje zbulon edhe faktin se zyrtarët e FSHF-së “flenë gjumë”.

Pas ngjarjes së Cërrikut, FSHF ka dalë me një deklaratë për shtyp, ndreshe nga incidenti i pak ditëve më parë në Laç, ku nuk mbajti asnjë qëndrim për goditjen e zëvendëstrajnerit të Kombëtares, Ilir Bozhiqi.

Deklarata e FSHF-së

Federata Shqiptare e Futbollit dënon incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes Sopoti-Mirdita, që luhej në stadiumin e Cërrikut. Një lojtar i Mirditës ka goditur gjyqtarin, duke sjellë edhe ndërprerjen e takimit. Organet e drejtësisë sportive do të mblidhen me urgjencë për këtë ngjarje të rëndë, që njollos gjithë futbollin. I bëjmë thirrje drejtuesve të klubeve dhe lojtarëve të respektojnë rregullat dhe të shmangin dhe të parandalojnë akte të tilla të dhunshme, që nuk duhet kurrsesi të kenë vend në futboll.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë