Shuplakë e fortë e Tiranës ndaj Partizanit në një derbi spektakolar në fushë, i mbyllur 5-1. Përplasja e tifozëve me Policinë para fillimit të ndeshjes u eklipsua nga spektakli në fushë, ku dy skuadrat e nisën me “marsh të pestë”. Në 100-vjetorin e krijimit të klubit, Tirana mund ta shijojë më shumë se kurrë titullin kampion dhe aromën e tij e ka ndjerë që në mbrëmjen e sotme, duke i shënuar 5 gola rivalit historik, si kurrë këto vitet e fundit.
Vetëm 14 minuta zgjati ndeshja e Partizanit. Ajo nisi në mënyrën më të mirë për të kuqtë, pasi Uilliam Kordeiro, i cili kishte lyer flokët enkas me ngjyrë të kuqe për këtë derbi, pas 2 minutash zhbllokoi shifrat me golin e avantazhit. Braun pati edhe dy raste për golin e dytë, por nuk mundi të shënonte dhe pikërisht pas çerek ore lojë ndeshja ndryshoi krejtësisht rrjedhë. Penallti në favor të Tiranës dhe karton i kuq për mbrojtësin Bitri të Partizanit, Batha barazon dhe pas pak minutash i duhet të rishfaqet te pika e bardhë. Tirana fiton penalltinë e dytë pas një faulli të Telushit. Batha nuk fal edhe këtë herë dhe Tirana përmbys gjithçka, ndërsa derbi i Partizanit bëhet malore.

Për ta bërë edhe më të fortë maloren e kuqe mendon Hektor Idrizaj, i cili shënon me forcë në portën e tij, në tentativë për të larguar një top nga zona. Fati u ka kthyer shpinën të kuqve, për të cilët i vetmi që duket në fushë është braziliani Kordeiro. Ngo bëhet tekanjoz në fushë dhe trajneri Emanuel Egbo e ndërron me Muçin, sulmuesin e ri që shënon 2 golat e tjerë për Tiranën. Në rastin e parë përfiton nga një gabim i Telushit, në të dytin realizon një supergol me goditje dënimi. Një perlë për të mbyllur një fitore bindëse të Tiranës, që duket se po prek titullin javë pas jave. Tani rivali i tyre i vetëm është Kukësi, pasi Partizani e ka marrë goditjen fatale.

Emërimi i trajnerit Emanuel Egbo ka rezultuar vendimi më i goditur për Tiranën, pasi nigeriani numëron 9 fitore, duke përfshirë 2 derbi, dhe 1 barazim në 10 ndeshje kampionat. Më mirë se kaq nuk ka ku të shkojë. Bardheblutë janë 9 pikë para Partizanit dhe kaq mjafton për të menduar se në fund të sezonit festa bardheblu do të jetë madhështore: ditëlindja e 100-të dhe titull kampion!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje