Futboll

Goditjet e minutës së fundit në merkaton europiane, Rei Manaj kthehet në Itali

Paak orë para mbylljes zyrtare të merkatos, shumë klube kanë nxituar të mbyllin marrëveshjet me lojtarët, për të cilët kanë më shumë nevojë. Në ethet e merkatos është përfshirë edhe sulmuesi i Kombëtares, Rei Manaj, që gjithë këtë periudhë është stërvitur me ekipin e parë të Barcelonës, madje ka shënuar edhe gola në miqësore.

Shtypi italian shkruan se Manaj do të kthehet në Itali për të luajtur në Serinë A, ku do të veshë fanellën e Specias. Kjo skuadër ka qenë mjaft aktive orët e fundit dhe pasi ka siguruar Destron dhe Agudelon nga Xhenoa, synon të përforcojë më shumë sulmin me Manajn. Marrëveshja është shumë pranë, ndërsa shtypi italian evidenton faktin që Manaj ka qenë më parë pjesë e Interit dhe se përgatitjet verore i ka bërë nën urdhrat e trajnerit Koeman.

Rei Manaj me fanellën e Barcelonës. Gazeta Si, 31 gusht 2021

Drejtori sportiv i Specias, Peçini, ka si objektiv që ta marrë Manajn në formë huazimi. Për sulmuesin e Kombëtares ka pasur interesim edhe nga klube spanjolle e gjermane, ku mund të përmenden Rajo Valekano dhe Frajburgu. Tashmë ai është shumë afër kthimit në Itali, pritet vetëm zyrtarizimi.

Mes lëvizjeve të tjera më të bujshme të orëve të fundit të futbollit europian janë ato të mesfushorit francez Kamanvinga te Real Madrid, rikthimi i Bakajokos te Milani dhe kalimi i kroatit Vllasiç te Uest Hemi. Priten të tjera surpriza.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë