Dy gjigantë në këmbët e tij. Anglia dhe Gjermania janë në luftë për mesfushorin Jamal Musiala. Një talent i kristaltë që trajneri Hansi Flik, në moshën 17-vjeçare, e aktivizoi titullar ndaj Lacios në ndeshjen e parë të 1/8-ve në Champions League.
“Ka kualitet për të qenë titullar te Bajerni, e ardhmja është e tij, – ka shpjeguar Otmar Hitzfeld, ish-trajner i Bajernit. – Ka teknikë, shpejtësi dhe fantazi. Mbi të gjitha ka shpejtësi, çka në futbollin modern është thelbësore”. Këtë mendim kanë edhe trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, si dhe ai i Anglisë, Gereth Southgejt. Që të dy po përpiqen ta bindin të pranojë ftesën e tyre për në kombëtare.

Të dy këta trajnerë e vlerësojnë maksimalisht, duke i premtuar pjesëmarrjen në Europianin e verës së ardhshme, edhe pse është shumë i ri. Jamal tashmë është bërë i njohur edhe për publikun e futbollit të madh. Luajti titullar në Champions dhe menjëherë u bë protagonist me një të djathtë të pakapshme nga Reina. Goli i tij është një rekord më vete, goli i parë nga një lojtar i datëlindjes 2003 në Champions…
Musiala ka lindur më 26 shkurt 2003 në Shtutgart, me nënë gjermane dhe baba nigerian. Ai ka nisur të luajë futboll 5 kundër 5 me Lehnerz, para se të transferohej në 2010-ën për studimet e së ëmës bashkë me familjen në Angli. U fut në akademinë e Southemptonit, ndërsa kur ishte 8 vjeç kaloi te Çelsi. Në moshën 13-vjeçare u grumbullua nga Anglia U-15, por në 2019-ën familja e tij vendosi të linte Anglinë dhe Musiala pati mundësinë të kalonte te Bajerni, ku u përfshi te skuadra U-17, që stërvitej nga Mirosllav Klose.
“Më vjen keq për Musialan, që debutoi në Bundesligë dhe e festoi golin e tij të parë në kampionat pa ndjerë atmosferën e publikut, që mungon për shkak të Koronavirusit”, – ka thënë Klose. Me të Musiala është rritur më shumë dhe që të dy pastaj kaluan në skuadrën e parë (Klose është ndihmës i Flik).
Në moshën 17 vjeç e 115 ditë është debutuesi më i ri në historinë e Bajernit në Bundesligë. I magjepsur nga talenti i tij, Flik e mori me vete për fazën finale të Championsit në Lisbonë, ku bavarezët u shpallën kampionë. Ka shënuar këtë sezon në fitoren 8-0 ndaj Shalkes, duke u bërë me 17 vjeç e 205 ditë shënuesi më i ri i historisë së klubit bavarez (i ka hequr rekordin Roke Santa Kruz).
Tani Flik e hodhi në fushë nga minuta e parë në një ndeshje Championsi. Një përgjegjësi e madhe, por që u shpërblye menjëherë nga mesfushori i talentuar. Nuk u ndodh të gjithëve që në moshën 17-vjeçare të kenë dy gjigantë si Gjermania dhe Anglia në këmbët e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje