Futboll

Gola për të gjithë në Kupë, trofeun e diskutojnë Tirana dhe Kukësi

Plot 12 gola janë shënuar në dy ndeshjet e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Tirana-Luftëtari përfundoi me rezultatin 5-3 dhe në finale shkon ekipi kryeqytetas, ndërkohë që ndeshja e parë kishte përfunduar 0-0. Në Korçë, Skënderbeu u mund sërish nga Kukësi, këtë herë 1-3. Me rezultatin e përgjithshëm 2-5, pasi ndeshja e parë ishte fituar nga Kukësi 2-1, në finale shkon skuadra e trajnerit Ernest Gjoka. Rezultatet që askush nuk i kishte menduar para se të luheshin ndeshjet, me kaq shumë gola, aq sa natyrshëm lindin dyshimet për ndonjë “pazar”…

Në ndeshjen e Korçës pritej më shumë, duke qenë se Skënderbeu ishte praktikisht në lojë për kualifikimin. Gjithçka u vështirësua për trajnerin Orges Shehi, i cili humbi për probleme shëndetësore dy nga titullarët me më shumë përvojë para ndeshjes, Kristi Vangjelin dhe Gjergji Muzakën. Pa u mbushur ende çerek ore lojë, Skënderbeu humbi edhe sulmuesin Oto Xhon për shkak dëmtimi. Shpresat e korçarëve u prenë shpejt, sepse Rexhinaldo e kaloi Kukësin në avantazh me një gjuajtje me kokë, ndërsa në fundin e pjesës së parë Abazi shkaktoi një autogol dhe aty ndeshja përfundoi. Bregu shënoi golin e nderit për Skënderbeun, kurse Rama trefishoi për Kukësin, që u kualifikua për në finale ndoshta më lehtë nga sa mund të kishte menduar.

Asion Daja feston golin e parë për Tiranën

Gola me bollëk në stadiumin “Selman Stërmasi”, 5 nga kryeqytetasit dhe 3 nga gjirokastritët. Tirana e nisi mirë ndeshjen, duke kaluar në avantazh me një veprim spektakolar të Asion Dajës. Mesfushori realizoi me një roveshiatë të bukur brenda zonës, por Tirana u godit në fundin e pjesës së parë, kur gjirokastritët përfituan nga një rrëshqitje e Mavejes dhe barazuan rezultatin me Filin. Kobina me penallti dhe më pas Ngo dhe dy herë Sentamu shënuan katër golat e tjerë për Tiranën. Për Luftëtarin, autorët e golave janë Oshafi dhe Neziri. Duhet theksuar se Tiranës iu akorduan dy penallti në favor nga kryesoir Eldorjan Hamiti, por njëra prej tyre u shpërdorua.

Kukësi dhe Tirana do të diskutojnë kështu në finale trofeun e Kupës së Shqipërisë. Kukësi ka favorin që e ka siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Europës nga vendi i dytë në kampionat dhe nuk ka aspak presion, ndërsa Tirana nuk e ka siguruar ende matematikisht qëndrimin në Superiore. Kupa e Shqipërisë do të shpëtonte sezonin e Tiranës, por gjithmonë duke mbyllur më parë llogaritë me qëndrimin në Superiore. Përpara është derbi me Partizanin, që duhet kaluar me sukses.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë