Futboll

Goli i parë në Serinë A dhe lojtari i ndeshjes, mbrëmje magjike për Hysajn

Më në fund, vjen edhe goli i parë në Serinë A. Elseid Hysaj, kapiteni i Kombëtares shqiptare, ka shënuar të shtunën në mbrëmje golin e parë në nivelin elitar të futbollit italian, ku ka vite që luan. Ai realizoi golin e parë në fitoren 2-0 ndaj Sasuolos dhe për specialistët ishte lojtari më i mirë i ndeshjes. Vlerësimet ka qenë maksimale për mbrojtësin kuqezi, që po luan si në të djathtë, edhe në të majtë të mbrojtjes. Shkodrani gjuajti bukur më të djathtën nga jashtë zonës, duke i dhënë avantazhin Napolit. Me siguri këtë gol Hysaj do ta kujtojë gjithë jetën. Sasuolos iu anuluan 3 gola në këtë ndeshje për pozicion jashtë loje.

Lojtari i ndeshjes
Elseid Hysaj ishte lojtari më i mirë i ndeshjes, sipas shtypit sportiv italian. “Sportmediaset” e ka vlerësuar mbrojtësin shqiptar me notën 7, më e larta për Napoli-Sasuolo, duke e përshkruar kështu paraqitjen e tij: “Hysaj 7 – Zhbllokon rezultatin pa u mbushur 8 minuta lojë dhe pastaj shpërthen me dy iniciativa personale, pas të cilave Milik dhe Insinje i shkojnë shumë afër golit të dytë. Pastaj krijon një një shans për të bërë edhe dopietë”.

Napoli feston golin e Hysajt. Gazeta Si, 26 korrik 2020


Futbollisti shkodran ia ka dedikuar golin familjes golin e parë në Serinë A. “Është një gol që do ta kujtoj gjithmonë, edhe pse do të doja të ishte një ndeshje me tifozë. Një gol me fanellën e kaltër të Napolit është gjithmonë e bukur. Dua t’ia dedikoj këtë gol bashkëshortes, djalit dhe familjes sime dhe uroj që në të ardhmen të ketë gola të tjerë”, – theksoi Hysaj, duke folur për fitoren ndaj Sasuolos pas ndeshjes.

Përmbledhja e ndeshjes Napoli-Sasuolo, 2-0. Gazeta Si, 26 korrik 2020

Pas fitores ndaj Sasuolos, Napoli mban vendin e 7-të në renditje me 59 pikë, 1 pikë më pak se Milani i vendit të 6-të, vendi i fundit që shkon në Ligën e Europës. Hysaj ndërkohë po fiton gjithmonë e më shumë besimin e trajnerit Ivan Xhenaro Gatuzo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë