Nëntë persona janë shoqëruar në polici lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Shkozet të Durrësit.
Tre persona të maskuar kanë hyrë me dhunë në shtëpinë e një biznesmeni në Shkozet ku kanë lidhur anëtarët e familjes me litar dhe sipas policisë, kanë grabitur 10 mijë e 800 euro.
Sipërmarrësi i dëmtuar nga kjo ngjarje se është Elton Kelmendi, me aktivitet në fushën e transporteve. Autorët dyshohet se kanë ndjekur lëvizjet e biznesmenit, i cili kishte dalë për një kafe me gruan dhe djalin.
Teksa kthehej në shtëpi sipërmarrësi është përballur me autorët që prisnin te dera e jashtme e banesës. Pasi i kanë vënë armën në kokë, tre personat kanë hyrë brenda dhe kanë lidhur bashkëshortët.
Në largim, grabitësit kanë rrëmbyer dhe djalin, i cili është lënë i lirë disa kilometra më tej kur mjeti i autorëve ka dalë në rrugën kryesore për t’u larguar drejt Shijakut. Pasi është kthyer në banesë, ai ka liruar prindërit duke bërë më pas dhe denoncimin e ngjarjes në Policinë e Durrësit.
Policia ngriti pika kontrolli në të gjithë zonën, por ende nuk dihen personat e kësaj ngjarjeje të rëndë. Edhe pse të terrorizuar, biznesmeni dhe familjarët e tij janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshmi rreth kësaj ngjarjeje.
Nga dëshmitë e anëtarëve të familjes së biznesmenit është zbardhur edhe fakti se agresorët kanë qenë të veshur me uniforma të forcave speciale të policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje