Në bodrumin e gjatë e të ngushtë poshtë Litsey 20, një shkollë në Ivano-Frankivsk, në Ukrainën perëndimore, mësojnë të qëllojnë. Serhiy Korneliyevych Hamchuk qëndron përpara disa grave dhe vendos një pushkë sulmi kallashnikov në tryezën përballë tij.
10 femrat, nga mosha 18 deri në 51 vjeç, shikojnë me vëmendje teksa Hamchuk demonstron se si të ngarkojë municion në karikatorin e armës. “Dobre”, thotë ai. “Mirë. Kush dëshiron të provojë?”
Muret e betonit të Litsey 20, një prej shkollave më të mëdha në Ivano-Frankivsk, zakonisht janë të mbushura me zhuzhurimat e më shumë se 1200 nxënësve të moshës nga gjashtë deri në 18 vjeç. Por, me pezullimin e mësimit për shkak të luftës, shkolla tani po ofron një lloj tjetër edukimi.
Në fund të marsit, kryetari i bashkisë së Ivano-Frankivsk, një nga qytetet më të mëdha në Ukrainën perëndimore, njoftoi se civilët do të mësojnë nëpër shkolla se si të përdorin armët.
Edhe pse të hapura për të gjithë, kurset u drejtohen kryesisht grave që duan të mësojnë të qëllojnë.

“Ka institucione të tjera ku burrat mund të stërviten, por këto janë kurse speciale të organizuara për gratë”, thotë Ruslan Martsinkiv, kryebashkiaku i qytetit. “Gratë duhet të jenë të gatshme për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre”.
Mësimi i parë u mbajt më 31 mars, ditën kur forcat ukrainase çliruan Buka, një periferi në veriperëndim të Kievit. Në ditët që pasuan, raportet për krimet e luftës të kryera nga ushtarët rusë qarkulluan në media. U fol për vrasje, përdhunime, plaçkitje dhe tortura. Kështu, mijëra gra nxituan të regjistroheshin në kurs.
Gjatë fundjavës së parë, më shumë se 3700 gra u regjistruan, me 800 burra gjithashtu të interesuar. Në javët që pasuan, mijëra të tjerë janë regjistruar dhe tani ka një listë pritjeje prej më shumë se 6300 grave që duan të mësojnë se si të gjuajnë.

Teksa presin në radhë, gratë bisedojnë dhe qeshin. Por trishtohen kur diskutojnë se çfarë i motivoi të merrnin pjesë. Galina, një shitëse nga Ivano-Frankivsk, u regjistrua sapo dëgjoi për kursin sepse mendon se të dish të përdorësh një armë është një aftësi e dobishme në kohë lufte. Ngjarjet në Buka, thotë ajo, ishin një konfirmim i dhimbshëm se ajo kishte marrë vendimin e duhur.
“Do të ishte më mirë nëse nuk do të më duhej kurrë, por të paktën do të di ta përdor. Çfarë mund të bëjmë tjetër? Është thjesht gjendja e jetës tani”, përfundon ajo.
Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje