Politike

Gratë e PD në fasoneri: Janë bomba, duhen mbyllur

Albana Vokshi dhe Orjola Pampuri ishin sot në dyert e një fasonerie të pambyllur në Krujë. ”…Kemi 5 javë që ia themi Edi Ramës, por ai vepron me kokëfortësi. Rezultati i kokëfortësisë së Edi Ramës është 67 persona të prekur brenda 3 ditëve vetëm nga fasoneritë e Krujës…

Gjendja është e rëndë. Nuk duhet të presim që të hyjnë të gjitha gratë në karantinë që të mbyllen fasoneritë. Vendimi duhet marrë sot. Po sot duhet marrë edhe vendimi për mbështetjen financiare të ketij biznesi”, tha Albana Vokshi. Sipas saj, qeverisë nuk i kushton asgjë që të gjejë zgjidhjen e mbi 70 mijë grave dhe vajzave. Ajo propozoi  anullimin e  3 koncesioneve të inceneratorëve. “Me paratë e tyre, e përballon fare mirë pagën për keto gra dhe vajza që shkojnë në punë me frikë dhe jetojnë me tmerrin e virusit”, shtoi ajo.  Orjola Pampuri tha se në  fasoneritë shqiptare është e pamundur që të krijohen kushtet e duhura për distancimin social, për shkak të mjediseve të vogla.

“Në zonën e Krujës janë në punë 20 fasoneri. Të gjitha bomba me sahat. Duhen mbyllur sot. Aty punojnë rreth 5 mijë gra e vajza nga zonat përreth, prandaj virusi është përhapur me shpejtësi edhe në Kurbin. 60 të prekur brenda pak ditësh është katastrofë. Vendimi për mbylljen e tyre duhet marrë sa nuk është vonë”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë