Lajmi se i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka kërcënuar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin me anulimin e të gjitha investimeve amerikane ka alarmuar të martën Prishtinën zyrtare.
Pas shumë aludimesh në media se mos heqja e taksës ndaj mallrave serbe mund t’i kushtonte Kosovës miqësinë me SHBA-në, Grenell vendosi të qetësonte opinionin publik duke deklaruar se këto raporte nuk ishin të vërteta. Lajmi në fakt nën logon Ekskluzive u dha nga Radio Televizioni i Kosovës.
Dick Custin, zëdhënësi i Ambasadorit Amerikan në Gjermani, njoftoi të martën në mbrëmje se Grenell nuk ka thënë kurrë se “Shtetet e Bashkuara do të anulojnë projektet dhe investimet nësë qeveria e re e Albin Kurtit nuk heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”.
Përgjigjja e Grenell erdhi pas një raporti të Radio Televizionit Publik të Kosovës, sipas të cilit ambasadori kishte komunikuar me kryeministrin Kurtin, si dhe kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani rreth çështjes së taksës ndaj mallrave serbe. Sipas RTK-së, ambasadori Grenell “ia kishte bërë të qartë si Kurtit ashtu edhe Osmanit se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bëjnë investime miliona dollarëshe në Kosovë, nëse hiqen tarifat. “Megjithëkëtë- shkroi RTK duke ju referuar një burimi të saj- SHBA-ja do t’i anulojë të gjitha këto projekte deri sa qeveria nuk heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”.
Por zëdhënësi Custin tha se ambasadori Grenell nuk e kishte thënë kurrë një gjë të tillë.
“Ambasadori Grenell gjithmonë e ka bërë të qartë se tarifat dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i dërgojnë një mesazh të keq sektorit privat se Kosova nuk është një vend për të bërë biznes. Ai e ka dëgjuar nga shumë biznesmenë brenda Kosovës, përfshirë disa ndërmarrje amerikane. Ambasadori Grenell u ka bërë të qartë udhëheqësve politikë në Kosovë dhe Serbi se investimet amerikane në Kosovë nuk do të kenë rezultatin e dëshiruar për të ndihmuar ekonominë nëse tarifat vazhdojnë të jenë në fuqi. Dhe zëvendësimi i tarifave me më shumë barriera duke i quajtur ato ‘masa reciprociteti’ gjithashtu do të jetë kundërproduktive për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të të dërguarit të posaçëm amerikan Richard Grenell.
Lajmi për “kërcënimim” e ambasadorit Grenell, erdhi pasi ai ka ditë që rithekson kërkesën për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe. Duke folur mëngjesin e sotëm për arritjen e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës, Grenell, i ka cilësuar si të vogla dy marrëveshjet e arritura për rikthimin e fluturimeve direkte dhe hekurudhave mes dy vendeve.
“Unë mendoj se rruga përpara është shumë e gjatë”, ka thënë Grenell.
Duke folur në një intervistë për mediar serbe, Grenell tha synimi i presidentit amerikan Donald Trumpit është të shfrytëzojë ekonominë për të çuar përpara proceset politike”.
Përfaqësuesi Special tha se konflikti gjatë viteve të ’90 ka formësuar pikëpamjet e tij për Ballkanin dhe Europën dhe tashmë është nder për të, të jetë në një pozicion ku synon pajtimin e palëve.
“Kur e kam nisur karrierën time politike kjo ishte tema më e nxehtë në të cilën po punonte administrata e Klintonit dhe NATO ishte e përfshirë në të. Mendoj se vërtetë ishte një konflikt dhe luftë që ma formësoi mua mendimin për Ballkanin dhe Europën. Prandaj është nder për mua të jem këtu duke u përpjekur t’i pajtojë palët” – tha Grennell
I dërguri i Trump ka kërkuar që Prishtina dhe Beogradi t’i lënë mënjanë problemet politike.
“Nëse do pyesja presidentët Vuçiç dhe Thaçi si dhe Kryeministrin Albin Kurti, a keni vullnet politik për të ecur përpara, për të krijuar vende punë për të rinjtë dhe për ta ndryshuar ekonominë, mendoj që përgjigja do ishte po, edhe pse situata politike është e vështirë. Unë po përpiqem që palët të përqendrohen në ekonomi, të provojnë të krijojnë vende pune për të rinjtë në mënyrë që ata të mos largohen nga rajoni, duke lënë mënjanë problemet politike”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje