Bota

Grenell: Qytetarët e Ballkanit meritojnë një president amerikan që mendon për ta

Ish-i dërguari i presidentit Donald Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka  kritikuar sërish presidentin Joe Biden për mospërfshirjen në rajon, duke thënë se qytetarët e Ballkanit meritojnë një president amerikan që u kushton vëmendje.

Në një video mesazh në Twitter, i cili përfshin fotografi nga takimet që Grenell pati me përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës, si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, Grenell kujton se presidenti Trump solli “krerët e shteteve të Serbisë dhe Kosovës në Zyrën Ovale në shtator të 2020-ës i cili sipas tij, nënshkroi një marrëveshje historike ekonomike, por që administrata e Biden humbi mundësinë që iu dha atyre nga Trump”.

Grenell shkroi në Twitter se dështimi i madh i ekipit të presidentit aktual Biden është se neglizhoi rezultatet e arritura nga administrata Trump në Ballkan.

Në një tjetër opinion të publikur disa ditë më parë nga mediat amerikane, ai ka ngritur alarmin se Administra Biden nuk ka asnjë plan konkret për Ballkanin Perëndimor duke paralajmëruar se Shtëpia e Bardhë pritet të lerë në harresë Tiranën zyrtare, Prishtinën apo Beogradin.

Sipas Grenell, presidenti Joe Biden ka harruar madje se Ballkani ekziston.  Sipas tij, vizioni i ish-presidentit Donald Trump për Kosovën dhe Serbinë ishte normalizimi i marrëdhënieve ekonomike për të ndihmuar në gjallërimin  e plotë të të gjithë Ballkanit.

“Presidenti Trump besonte se konflikti po ndikonte në krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik për të gjithë rajonin. Ai gjithashtu besonte se strategjia e të fjalëve boshe, e udhëhequr nga europianët, nuk po funksiononte”, shkruan Grenell në një opinion të publikuar nga gazeta amerikane “The Federalist”.

Grenell shtoi se “fatkeqësisht për Ballkanin, Administrata e Bidenit po merr pozicionin e kundërt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë